Site icon Telegrafi

Flet axha i 18-vjeçarit që vdiq në QKUK, tregon se si u godit me veturë dhe u rrah me shufra metalike

Një 18-vjeçar ka ndërruar jetë të shtunën pasi është rrahur brutalisht më 14 janar në Podujevë.

Bëhet fjalë për Lulzim Fejzullahun, i cili tash e gjashtë ditë ishte duke u trajtuar në Mjekim Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin mjekja kujdestare në QKUK, Agreta Gashi, e cila ka thënë se pacienti kishte lëndime të rënda në kokë.

Ndërsa axha i të ndjerit, Rrahim Fejzullahu, e ka përshkruar të gjithë ngjarjen se si ka ardhur deri të ky rast tragjik.

Lexo po ashtu Vdes 18-vjeçari që u rrah brutalisht ditë më parë në Podujevë

“Unë nuk e di a kanë qenë moshatarë të tij apo jo. Së pari e kanë ndjek me kerr, e kanë shkel me kerr, e kanë shtyp, e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrëzuar Lulzimin, i kanë hip stupca bejsbolli, derisa sot në ora 15:20 ndërroi edhe jetë”, ka bërë të ditur Fejzullahu për Raporto24.

Ai tutje ka treguar, se sipas informacioneve që i ka, e gjithë ngjarja ka nisur te një berber.

“Aty i kanë shti fjalët. Jo s’po rruhesh para meje, jo kush je ti, jo kush jam une. Këtu ka ndodhë shkaku. Djali ka dalë, me shku prej shtëpisë. Në derë kah dalin janë rrok me krah. Këta e kanë përcjell me kerr, videot i ka policia”, ka bërë të ditur axha i viktimës.

Ai ka thënë se vetëm kërkon drejtësi maksimale për nipin.

Për rastin e tentimvrasjes pati njoftuar Policia në raportin 24-orësh të 15 janarit. Sipas raportit, dy persona ishin arrestuar nën dyshimin për rastin, ndërsa në vend të ngjarjes ishte konfiskuar një thikë dhe një veturë.

Për vdekjen e rreth 18-vjeçarit ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Rast i rëndë e shumë prekës vdekja tragjike e të riut, L.F. i cili na tronditi të gjithëve me rrethanat e vdekjes. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe shoqërisë së të ndjerit!” ka shkruar ai në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version