Dejan Vasiq, avokati i serbit, Dusan Maksimoviq i cili dyshohet për sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës është deklaruar për media.
Ai ka thënë se klientit të tij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, dhe se do të parashtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi, transmeton Telegrafi.
“Dushan Maksimoviqit sot i është shqiptuar paraburgimi prej 30 ditësh. Ne do të parashtrojmë ankesë ndaj këtij vendimi, pasi që gjykatës i janë prezantuar disa dëshmi të cilat ne vlerësojmë se nuk janë relevante dhe se bëhet fjalë për diçka që mund të jetë më shumë keqkuptim, se sa diçka që mund të përbëjë vepër penale. Në këtë kuptim nesër do të paraqes ankesë dhe do ta shohim se si Gjykata e Apelit do ta shqyrtojë ankesën tonë”, thotë ai.
Vasiq po ashtu tha se klienti i tij nuk ka qenë në gjendje të jap deklaratë, sipas tij, ai është i mërzitur për ato që kanë ndodhur.
Në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.
Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.
Nga gjuajtjet me armë zjarri, tre terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.
Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë. /Telegrafi/