Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel ndihet i befasuar me intervistën e fundit të dhënë nga sulmuesi Romelu Lukaku, i cili tha se nuk ndihet i lumtur te Blutë dhe nën urdhrat e trajnerit gjerman.
Lukaku befasoi gjithë botën e futbollit të enjten mbrëma në një intervistë bombastike për mediat italiane.
Sulmuesi belg zbuloi se nuk ndihet i lumtur te Chelsea dhe nuk po e gjen veten dhe formën nën urdhrat e gjermanit Tuchel.
Ai gjithashtu u kërkoi falje tifozëve të Interit, teksa nuk përjashtoi një rikthim të mundshëm te Nerazzurrët.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i trajnerit të Chelseat, Tuchel, i cili ndihet i befasuar me fjalët e Lukakut dhe tha se do të flas personalisht me të.
“Të jemi të sinqertë – nuk më pëlqen sepse sjell zhurmë që nuk na duhen. Është e lehtë t’i heqësh rreshtat jashtë kontekstit – sigurisht që nuk më pëlqen, është zhurmë që nuk kemi nevojë dhe nuk ndihmon”, ka thënë fillimisht Tuchel.
“Me Lukakun do të flasim hapur pas dyerve të mbyllura. Jam i befasuar sepse nuk e shoh të pakënaqur – e kundërta”.
“Ne këtu mund të marrim kohë për të provuar të kuptojmë se çfarë po ndodh me Romelun, kjo nuk pasqyron qëndrimin e përditshëm”.
“Nëse je një lojtar kaq i madh siç është Romelu… ai me siguri e di se çfarë lloj vlere ka kur flet”, përfundoi trajneri i Chelseat. /Telegrafi/