Telegrafi

Flamuri rus është “shkatërruar” – Zelensky komenton situatën në rajonin Sumy në kufi me Federatën Ruse

Pasi dëgjoi një raport nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, presidenti Volodymyr Zelesnky tha se pushtuesit kishin tentuar të kryenin “një operacion propagandistik” në fshatin Ryzhivka, që ndodhet në rajonin Sumy në kufi me Federatën Ruse.

Kështu thuhet në deklaratën e Zelensky të postuar në rrjetet sociale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Në fshatin Ryzhivka, pushtuesit tentuan një operacion propagandistik. Prej mëngjesit të sotëm, flamuri rus është shkatërruar dhe nuk ka prani armike në fshat”, ka shkruar presidenti.

Forcat ukrainase janë plotësisht në kontroll të situatës në rajonin e Sumy-t, shtoi Zelensky, duke vënë në dukje se grupet ruse mbeten aktive “por po eliminohen dhe do të vazhdojnë të trajtohen me vendosmëri”.

Ai shtoi se kjo javë është “vendimtare” për pozitën ndërkombëtare të Ukrainës.

Siç u raportua më herët, udhëheqësi çeçen dhe aleati i Vladimir Putinit, Ramzan Kadyrov tha më 9 qershor se një njësi çeçene dyshohet se pushtoi fshatin Ryzhivka në rajonin e Sumy pranë kufirit me rajonin Kursk të Rusisë, duke theksuar se u deshën tri ditë për të përfunduar misionin.

Siç dihet, Ryzhivka u bë një fshat “i vdekur” në pranverën e vitit 2024 pasi pothuajse e gjithë popullata civile u evakuua pasi asnjë ndërtesë e vetme në fshat nuk mbeti e paprekur.

Që nga 22 maj 2024, shtatë banorë mbetën në zonë sipas raportit të administratës së komunitetit lokal.

Në total, më shumë se 1500 civilë u evakuuan nga komuniteti Bilopillia dhe Vorozhba këtë maj. /Telegrafi/