Fjolla Uka nga KDI e cila ka monitoruar procesin e ndërtimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë ka thënë se kompanitë ndërtimore shpesh janë penguar nga banorë pretendues si pronarë të parcelave.
Uka në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se gjatë monitorimeve të KDI janë vërejtur vonesa gjatë ndërtimit të rrugës Prishtinë Mitrovicë duke treguar edhe arsyet pse kanë ndodhur ato.
“Shkaku i parë i këtyre vonesave është shpronësimi, por nuk është i vetmi. Ka vonesa edhe për shkak se gjendja në terren nuk është ashtu siç u janë treguar kompanive kontraktuese. Ka vonesa edhe në zhvendosjen e shtyllave”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Uka thotë se në shumë raste qytetarët që pretendojnë se janë pronarë të parcelave kanë dalë në rrugë dhe kanë penguar operatorët gjatë kryerjes së punimeve.
“Qytetarët duket se kanë qenë të pakënaqur me procesin e shpronësimit duke mos lënë kompanitë të kryejnë punimet”.
Monitoruesja e KDI-së thotë se ka munguar konsultimi i Ministrisë së Infrastrukturës me qytetarët para fillimit të punimeve në rrugë të mëdha e që më pas ka rezultuar me shfaqje të problemeve të natyrave të ndryshme./Telegrafi/