Site icon Telegrafi

Fjalët e Deschamps për Shqipërinë

Didier Deschamps, Antoine Griezmann dhe Dimitri Payet duken të ç’tensionuar pas suksesit të parë të vuajtur kundër Rumanisë. Nga qendra stërvitore e Clairefontaine ata folën për emisionin Telefoot, ku u ndalën edhe te sfida e radhës kundër Shqipërisë.

Ishte trajneri i Les Bleus ai që mori fjalën i pari duke theksuar se suksesi ndaj Rumanisë ka injektuar optimizëm.

“Ishte një ndeshje e hapur dhe shumë emocionuese për ne. Nuk arritëm të shfaqeshim në lartësinë e duhur gjatë 25 minutave të para”, nënvizon Deschamps, transmeton Supersport. Në vijim, ai analizon sfidën e “Velodrome” kundër Shqipërisë.

“Shqipëria është një kundërshtar i vështirë. Ata treguan se janë një skuadër e mirë edhe kur luajtën me 10 lojtarë ndaj Zvicrës. Bëhet fjalë për një skuadër të organizuar shumë mirë nga një trajner italian. Ndeshja e të mërkurës në Marseille do të jetë shumë e ndërlikuar”, është shprehur strategu francez.

Më pas, Griezmann theksoi se lodhja sezonale ndihet në këmbët e tij, por premtoi se do të rikthehet vendimtar si në të shkuarën.

“Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të zhvillojmë një ndeshje të madhe të mërkurën kundër Shqipërisë”, ka shtuar futbollisti i Atletico Madridit.

Exit mobile version