Telegrafi

Fizioterapeuti i Belgjikës zbulon marrëveshjen që bëri me Lukakun për Kampionatin Botëror

Fizioterapeuti belg Lieven Maesschalck konfirmon se Romelu Lukaku nuk ishte i aftë për të luajtur 90 minuta në Kampionatin Botëror.

Ylli i Chelseat që është në huazim te Interi ka pasur probleme me lëndimet këtë sezon, duke luajtur vetëm pesë ndeshje me Nerazzurrët.

Ai pësoi një tjetër lëndim, javë para se të niste Botërori dhe humbi ndeshjen e parë të turneut kundër Kanadasë.

“Roberto Martinez është dikush që dëgjon stafin mjekësor dhe gjithçka diskutohet”, deklaroi për Sporza, Maesschalck.

“Fakti që Lukaku, për shembull, nuk kishte luajtur për muaj të tërë, gjithashtu luajti një rol. Marrëveshja ishte që ai të mos luante 90 minuta”.

“Me Romelun u ra dakord që ndeshja ndaj Kroacisë duhet të ishte e mundshme. Por, fizikisht, Romelu nuk mundi të përballonte një ndeshje të tërë. Kështu që duhej bërë sërish një zgjedhje. Lëreni të fillojë apo jo. Lëreni të luajë 45 minuta ose 60 minuta”, ka vazhduar ai.

Lukaku u prezantua në 9 minutat e fundit të humbjes 2-0 kundër Marokut më 27 nëntor dhe në pjesën e dytë të barazimit 0-0 me Kroacinë, që përcaktoi përfundimisht eliminimin e Djajve të Kuq nga gara.

Sulmuesi humbi disa mundësi për të shënuar kundër kroatëve dhe Martinez dha dorëheqje pak ditë pas eliminimit të Belgjikës.

Lojtari është rikthyer në stërvitje për Interin, por nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen miqësore të sotme kundër Real Betis në Spanjë.

Simone Inzaghi shpreson të rikthejë sulmuesin për ndeshjen e parë të Serie A të vitit 2023 kundër Napolit më 4 janar. /Telegrafi/