Sigal Prishtina ka triumfuar përballë Golden Eagle Yllit (82-88) para tifozëve në palestrën sportive “13 Qershori” në Suharekë.
Ashtu siç pritej, kampioni e nisi më mirë përballjen dhe ishte bindës në çerekun e parë, të cilin e mbylli me 23 pikë epërsi (13:36).
Fraksioni i dytë ishte më i zbehtë në raport me të parin dhe nikoqirët shënuan tri pikë më shumë se mysafirët (13:10), megjithatë falë pikëve në dhjetëminutëshin e parë, kryeqytetasit shkuan në pushim me 20 pikë avantazh, 26-46.
Angazhimi i vendasve vazhdoi në çerekun e tretë, ku shënuan një pikë më shumë se kundërshtari (25:24). Megjithatë, epërsia e vizitorëve mbetej shumë e lartë.
Përkundër përpjekjeve maksimale të basketbollistëve të Golden Eagle Yllit në çerekun e fundit (31:18), ata nuk arritën ta përmbysnin epërsinë e mysafirëve.
Në këtë mënyrë, Sigal Prishtina e ka forcuar kreun e tabelës në Superligën e Kosovës në basketboll. /Telegrafi/