Telegrafi

Fillon ‘Startup Europe Week 2019’

Në një ceremoni zyrtare në Innovation Centre Kosovo (ICK), me mbi 100 të pranishëm, është hapur edicioni i tretë i Startup Europe Week, nismë e përkrahur nga Komisioni Evropian dhe e mbështetur në Kosovë nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, European Union Kosovo, Ambasada e Suedisë dhe Ambasada e Norvegjisë.

Startup Europe Week është platformë pan-evropiane e aktiviteteve të koordinuara nga shtete të ndryshme, me qëllim të promovimit të bizneseve start-up, ekosistemeve të ndërmarrësisë si dhe promovimin e investimeve për bizneset e reja.

Në hapje të javës, përveç personelit dhe komunitetit të ICK-së, të pranishëm ishin edhe ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj, përfaqësues të European Fund for Southeast Europe (EFSE), donatorë e partnerë të ndryshëm.

“Rruga jonë drejte BE-së fillon me vizionin tonë evropian, andaj rasti për të organizuar një javë të tillë në Kosovë, përtej një mundësie të mirë për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, është një obligim që të rrisim ofertën karshi bizneseve startup dhe inovatorëve, për të qenë konkurrues”, theksoi Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së.

Ndër aktivitetet e shumta që do të organizohen gjatë javës janë Kampi i Ndërmarrësve (Founders’ Bootcamp) – programi pesë-ditor edukativ për ndërmarrësit e rinj, ligjërata e Ari Zoldan për trendet e teknologjisë dhe inovacionit, Startup Grind Prishtina me mysafir Agon Gashi (Meridian Express), si dhe gara e ideve të biznesit e njohur si “Startup Answers Prishtina”. Për më shumë informata, vizitoni faqen e ICK në Facebook. /Telegrafi/