Kryeministri Edi Rama, në çelje të punimeve në Tiranë të Samitit Ukrainë – Europa Juglindore, e konsideroi këtë një tryezë të përbashkët të vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja.
Në nisje të punimeve të samitit u shfaq një video me mesazhe solidarizuese të liderëve botërorë për Ukrainën.
Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e të gjithë liderëve në këtë samit.
“Ndihem veçanërisht i përulur që t’i uroj mirëseardhjen e veçantë në Tiranë presidentit të Ukrainës, mikut tim, Volodymyr Zelensky. Jemi thellësisht të nderuar që e bëtë këtë udhëtim në Tiranë mes përgjegjësisë të jashtëzakonshme të udhëheqjes jo vetëm të kombit tuaj, por gjithë botës demokratike në qëndresën ndaj luftës që ka sfiduar në mënyrë brutale botën tonë demokratike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se këtë luftë nuk e zgjodhi as Ukraina, as bota demokratike.
“Kjo është një luftë që as Ukraina dhe as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtin qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga zgjedhja e vendimit vetëm e një njeriu i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake”, tha Rama.
“Prania juaj këtu është një kujtesë që ai (Vladimir Putin) nuk ia ka dalë dhe pavarësisht fuqisë së saj ushtarake e propagandës toksike, Rusia neoimperialiste nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit ukrainas të jetojë në një atdhe të pavarur e demokratik”, tha Rama. /Telegrafi/