Site icon Telegrafi

Fillon rritja e eksporteve të mallrave gjermane, parandalohet rënia e fuqisë ekonomike

Eksportet gjermane u rritën përsëri në tetor pas rënies së mëparshme. Kjo shihet edhe nga raporti vjetor ku thuhet se me gjithë pandeminë COVID-19, eksporti është rritur me më shumë se 7 për qind.

Pavarësisht pandemisë dhe pengesave në zinxhirët e furnizimit me lëndë të parë, eksportet gjermane çuditërisht u rritën më fuqishëm në muajin tetor.

“Eksporti është rritur me 4.1 për qind krahasuar me muajin e kaluar”, njofton Enti Federal i Statistikave.

Kjo është rritja më e madhe që nga korriku 2020. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin pritur rritje prej vetëm 0.9 për qind. Para kësaj, eksportet ishin tkurrur me gati 1 për qind për dy muaj rresht. Edhe importet u rritën në tetor për të tretin muaj me radhë, me një rritje të lartë prej 5 për qind.

Kryeekonomisti i Bankhaus Lampe, Alexander Krüger shprehet se, “efektet e rritjes në sektorin e automjeteve ka të ngjarë të kenë kontribuar ndjeshëm edhe në rritjen e eksporteve”.

“Industria gjermane mund të presë jo vetëm eksporte të mira, por edhe një fluks të lartë materiali nga jashtë. Kjo sinjalizon një relaksim të caktuar në furnizimin me materiale”, tha Krüger.

Por problemet në logjistikë dhe pandemia mund të pengojnë sektorin e eksportit në çdo kohë. Ndaj për momentin nuk priten rritje tepër të mëdha.

“Lajmi vërtet i mirë është se në Gjermani po mbërrijnë sërish shumë mallra të kërkuara”, tha shefi i VP Bank, Thomas Gitzel, duke folur për rritjen e madhe të importeve.

Parandalohet rënia e fuqisë ekonomike

Për drejtorin e Institutit për Makroekonominë (IMK), Sebastian Dullien rritja e madhe e eksporteve dhe importeve “shton shanset që ekonomia gjermane të jetë në gjendje të shmangë një mini-recesion në fund të vitit, për shkak të valës së katërt të pandemisë”.

Shifrat e tregtisë së jashtme treguan se problemet e zinxhirit të furnizimit në industri po kalohen gradualisht. Nëse trendi vazhdon, rimëkëmbja në industri do të vinte në një kohë kur kufizimet e kontaktit dhe ngurrimi në rritje i konsumatorëve nga frika e infeksioneve në Gjermani po zbehin aktivitetin në hotelieri, gastronomi, te ofruesit e shërbimeve për relaksim në kohën e lirë dhe shitësit me pakicë.

“Kjo mund të parandalojë një rënie të lartë të prodhimit ekonomik, siç ishte në fillim të 2020 dhe në fillim të 2021”, shton Dullien.

Kryetari i Shoqatës Federale të Shitjes me Shumicë, Tregtisë së Jashtme dhe Shërbimeve (BGA), Dirk Jandura thotë se, “ky është një lajm vërtet i mirë duke pasur parasysh problemet e shumta në zinxhirët e furnizimit në fillim të tremujorit të katërt”.

Megjithatë, sfidat strukturore për kompanitë mbeten. Kaosi në logjistikë ka të ngjarë të zgjasë edhe për disa muaj. Mungesa e kontejnerëve, mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe shpërthimet rajonale të pandemisë kanë lënë pasoja.

“Si rrjedhojë, do të vazhdojnë të mbeten edhe për disa kohë kostot e larta që rezultojnë edhe në procesin e shitjes dhe blerjes. Për momentin nuk ka në horizont as ndonjë lehtësim në pengesat e furnizimit me lëndët e para dhe produktet e domosdoshme për prodhim”, thotë Jandura.

Në total, kompanitë gjermane kanë shitur mallra me vlerë prej 121.3 miliardë euro jashtë vendit. Krahasuar me tetorin e vitit 2020, kjo është një rritje prej 8,1 për qind. Eksportet drejt klientit më të rëndësishëm, SHBA-së, janë rritur me 11.4 për qind me një total prej rreth 11 miliardë euro, ndërsa ato drejt Kinës u rritën me 8.5 për qind në 9.4 miliardë euro. Shitjet në vendet e BE-së janë rritur me 11.6 për qind, në një vlerë prej 66.7 miliardë euro.

Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë (DIHK) pret që eksportet gjermane të rriten me rreth 7.5 për qind këtë vit. Në vitin 2022 duhet të ketë një plus të ngjashëm prej rreth 7 për qind. Ndërsa në vitin 2020, ka pasur një rënie të ndjeshme për shkak të COVID-19. /Deutsche Welle/

Exit mobile version