Telegrafi

Fillon rrënimi i vilave përreth liqenit të Batllavës, Zhitia: Të gjitha ato që janë ndërtuar pa leje do të rrënohen

Ka filluar rrënimi i disa prej vilave të cilat janë të ndërtuara buzë liqenit të Batllavës, në Podujevë, të cilat kanë filluar të ndërtohen në fund të marsit të këtij viti.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia tha për Telegrafin se rrënimi i vilave ka filluar sot në mesditë.

Ai tha se vilat në Batllavë janë ndërtuar pa leje dhe nën monitorimin e policisë do të rrënohen të gjitha ato që vila që nuk kanë leje paraprake të ndërtimit.

“Po janë duke u rrënuar sepse të njëjtat janë ndërtuar pa leje ndërtimi. Së bashku me Policinë e Kosovës do të rrënohen të gjitha ato vila që nuk kanë leje ndërtimi”, tha shkurt për Telegrafin Zhitia.

Në gusht të këtij viti Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte filluar hetimet në lidhje me ndërtimet pa leje në këtë zonë. Madje kryetari Shpejtim Bulliqi i kishte mirëpritur këto hetime. /Telegrafi/