Shtëpia e Big Brother VIP Albania u mbush me emocione dhe entuziazëm përpara përballjes së madhe mes Shqipërisë dhe Anglisë.
Banorët u angazhuan maksimalisht për të krijuar një atmosferë patriotike, duke e kthyer këtë moment në një festë të vërtetë kombëtare.
Që në orët e pasdites, ata filluan të përgatiteshin për ndeshjen, duke veshur fanella kuqezi, dhe vizatuan fytyrat me ngjyrat e flamurit.
Pak minuta para fillimit të sfidës, banorët u mblodhën në oborr dhe krijuan një moment solemn duke rreshtuar dhe kënduar himnin kombëtar me dorën në zemër.
Kjo skenë emocionoi jo vetëm ata, por edhe shikuesit, duke shfaqur përmes ekranit dashurinë dhe krenarinë për Kombëtaren shqiptare.
Me sy të drejtuar nga ekrani dhe zemrën që rrihte fort, banorët u ulën për të ndjekur me ankth dhe pasion ndeshjen, duke shpresuar në një rezultat historik për Shqipërinë.
Reagimet e tyre plot emocione dhe komentet gjatë lojës sollën edhe më shumë gjallëri në shtëpinë më të famshme të momentit. /Telegrafi/