Telegrafi

Fillim i jashtëzakonshëm i vendasve, Benzema tregon prezencën – City shkon në pushim me epërsi ndaj Realit

(Foto: Twitter/Manchester City)

Manchester City dhe Real Madridi kanë zhvilluar një gjysmë të parë fantastike në Etihad Stadium, në sfidën e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Në 45 minutat e para të këtij takimit, të cilësuar si “finalja para finales”, dy gola i realizuan vendasit dhe një gol e shënuan mysafirët.

Zhvillohej minuta e dytë e takimit kur pas një harkimi në zonë nga Riyad Mahrez, Kevin De Bruyne e zhbllokoi rezultatin duke shënuar me kokë.

(Foto: Twitter/Manchester City)

Nuk zgjati shumë dhe erdhi goli i dytë i vendasve. Kësaj radhe De Bruyne asistoi për Gabriel Jesus, i cili e dyfishoi avantazhin (11’).

Citizens i dominuan minutat në vazhdim dhe patën raste të tjera shënimi, të cilat nuk ia dolën t’i konkretizonin.

(Foto: Twitter/Real Madrid C.F.)

Sidoqoftë, prezenca e Karim Benzemas në fushë u shënjua me ngushtimin e rezultatit. Ferland Mendy harkoi në zonë, ndërsa sulmuesi francez e ngushtoi rezultatin (33’).

Trajnerët Pep Guardiola dhe Carlo Ancelotti kanë se çfarë t’u thonë lojtarëve të tyre në zhveshtore për një gjysmë tjetër të zjarrtë. /Telegrafi/