Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka njoftuar që nga sot se Zyra Federale e Prokurorisë do të hetojë për të ‘verifikuar’ se klubet në Serie A janë duke punuar në përputhje me protokollin shëndetësor të miratuar nga qeveria.
Në fillim të ditës së sotme, dolën raporte se Lazio luante ndeshje “tre me tre” në fund të secilës seancë.
Tani FIGC ka njoftuar se ka caktuar Zyrën e Prokurorisë Federale të inspektojë ekipet e ligës nëse janë duke iu përmbajtur protokollit shëndetësor.
Është vet faqja zyrtare e FIGC-së që ka njoftuar inspektimin e klubeve me anë të një deklarate.
“FIGC ka aktivizuar një grup pune hetues të Prokurorisë Federale, me detyrën për të verifikuar përputhjen me indikacionet që përmbahen në protokollin e shëndetësisë së federatës, të miratuar nga autoritetet e qeverisë”.
“Grupi i punës, i cili raporton drejtpërdrejt në prokurori, do të verifikojë se seancat trajnuese të klubeve profesionale, që aktualisht janë individuale dhe nga 18 maj në grupe, kryhen në përputhje me protokollin e treguar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/