Sot ajo është një nga kantautoret më të njohura të tregut muzikor shqiptar, por fillimet nuk kanë qenë të lehta për të.
Filloreta Raçi – Fifi, është lindur dhe rritur në Prishtinë, teksa fillimet i ka shënuar duke kënduar nëpër lokale të ndryshme në vendlindje si dhe duke marrë pjesë në spektaklet e talenteve si “The Voice of Albania” dhe “Albanian Got Talent” në Tiranë.
Duke u kthyer në retrospetkivë, Fifi iu përgjigj një ndjekësi në Instagram, i cili pyeti për punën e parë që ka bërë në jetë – dhe ajo nuk hezitoi të përgjigjej, e as të tregonte shumën e parave që kishte marrë atëherë.
“16 vjeç dhe kam kënduar te ‘Kafet e Vogla’ në Prishtinë. Herë me kitarë, herë me tastierë dhe më e bukura është që ka pasur raste, kam marrë 10 euro për performancë e më së shumti 35 euro në atë kohë! Dhe njehesha njeriu më me fat në botë se po e fitoja me djersë”, ka qenë përgjigja e këngëtares.
Me kalimin e viteve, Fifi nisi të publikonte këngë të sajat dhe të kompozonte për artistë të tjerë, duke bërë që gjithmonë e më shumë emri i saj të vihej në pah.
Ajo shënon disa pjesëmarrje të suksesshme në festivalin ‘Kënga Magjike’ ku është shpërblyer gjithnjë me çmime, dhe në të shumtën e rasteve ka qenë në Top 3.
Fifi është shprehur se e ka gjetur më shumë veten në Tiranë për shkak se ka mundësinë më shpesh të performojë live – me çka edhe ka qenë arsyeja kryesore pse ajo është zhvendosur atje nga Kosova. /Telegrafi/