Këngëtarja e njohur shqiptare, Filloreta Raçi – Fifi, me rastin e Pavarësisë së Kosovës mbajti një koncert në Ferizaj më 17 shkurt.
Me këtë rast ajo e ndezi atmosferën në qytetin e saj të prejardhjes, ndërsa përveç komenteve pozitive, ka pasur edhe kritika.
Në rrjetet sociale, disa prej ndjekësve kanë kritikuar faktin se si teksa populli ende po përjeton një pandemi globale, këngëtarja ka realizuar një koncert para një turme të madhe njerëzish.
Sot (e premte), përmes disa videove të publikuara në InstaStory, Fifi ka vendosur t’i kundërpërgjigjet ndjekësve që e kritikuan, duke u thënë se një këngëtare nuk mund të quhet “egoiste” vetëm sepse mbajti një koncert, në kohën kur kafenetë e Prishtinës dhe Tiranës dhe të gjitha qyteteve tjera janë plot.
Ajo madje thotë se nuk mund të quhet as “egoiste”, sepse po të ishte e tillë do të mendonte vetëm për veten e saj duke u izoluar në shtëpi, e jo të shkonte diku për të argëtuar njerëzit.
Këngëtarja dhe kompozitorja e njohur iu ka bërë gjithashtu thirrje njerëzve për ndjenja pozitive, pasi për të tilla ka më së shumti nevojë secili në këtë kohë.
“Ndjenja pozitive njerëz, çfarë po ndodh? Unë e di që ka ndikuar shumë keq virusi në trurin tonë, ama qetësohuni. Nisni të merreni me ndonjë gjë dhe lëshoni energji pozitive. Paskam marrë lekë unë në 17 dhe qenka bërë nami, jemi ngopur në lekë. Hello, që 11 muaj jam pa punë. As shteti, as ju, as kërkush nuk i ka interesuar çfarë po bëjnë artistët. A u interesua ndokush për gjendjen financiare të artistëve? A i ka ndihmuar ndokush artistët të bëjnë art? Jo, jo. Kështu që zonja dhe zotërinj mos më prekni ku s’duhet. Punoni ju për vete, ishallah zoti jua jep krejt dhe e shijoni, por mos më prekni sepse jam që 11 muaj pa punë”, ka thënë ndër të tjerash Fifi. /Telegrafi/