Argjentina ka arritur në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror ‘Katar 2022’, falë një fitore emocionuese ndaj Holandës.
Koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2, derisa pas ekzekutimit të penalltive argjentinasit mposhtën holandezët me rezultat 4-2.
Ka qenë një ndeshje me shumë emocione dhe tensione nga kampet e dy Kombëtareve në fjalë dhe tani FIFA ka hapur hetimet.
Shtëpia më e madhe e futbollit botëror FIFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Argjentinës, por edhe ndaj asaj të Holandës.
Por lajmet e fundit thonë se FIFA në procedurë e ka futur edhe kapitenin e Argjentinës, Lionel Messin pas përplasjes që ky i fundit pati me trajnerin holandez Louis Van Gaal, ku pas ndeshjes shkoi te ai dhe u përplas edhe pse intervenuan dy stafet për të ndalur një konflikt verbal.
Gjithashtu do të analizohet edhe intervista e Messit pas ndeshjes ku ofendoi kundërshtarin si dhe kishte thënë disa fjalë për gjyqtarin kryesor Lahoz.
FIFA e ka vendosur në procedurë disiplinore edhe mesfushorin Leandro Paredes, ku nga ai nisi gjithë sherri mes dy Kombëtareve, pasi konsiderohet që me qëllim goditi me top bankën rezervë të holandezëve.
Në lidhje me të dyja rastet, FIFA ka nisur një hetim me Komisionin e Disiplinës që do t’i shqyrtojë në imtësi këto momente dhe më pas do të dalë me një vendim dhe mbetet për t’u parë nëse Messi dhe Paredes do të dënohen, ku nuk përjashtohet edhe një skualifikim për në gjysmëfinalen ndaj Kroacisë. /Telegrafi/