Site icon Telegrafi

FIFA hodhi poshtë kërkesën e Zelenskyt për të ndarë një mesazh në finalen e Kupës së Botës

Presidenti Volodymyr Zelensky ofroi t’ju dërgonte tifozëve të futbollit një mesazh për paqen botërore në stadiumin e Katarit përpara finales së Kupës së Botës këtë javë, por propozimi u refuzua nga FIFA, ka thënë një burim për CNN.

Zyra e liderit ukrainas thuhet se ofroi të dërgonte një video-mesazh për tifozët këtë të diel, por kjo u kundërshtua nga organi sportiv i futbollit, pohoi burimi, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, ende po zhvillohen bisedime mes FIFA-s dhe Ukrainës për këtë çështje.

“Ne menduam se FIFA dëshironte të përdorte platformën e saj për mirën më të madhe”, tha burimi për CNN.

Që nga fillimi i turneut, FIFA është përpjekur të mbajë jashtë garës mesazhet politike.

Harry Kane i Anglisë dhe Gareth Bale i Uellsit kishin qenë në mesin e lojtarëve nga një numër ekipesh kombëtare që kishin në plan të mbanin shiritat e OneLove si një gjest solidariteti me komunitetin LGBT.

Por shoqatat e futbollit nga ato kombe, së bashku me gjashtë kombe të tjera më vonë njoftuan se nuk ishin të gatshëm të rrezikonin “sanksionet sportive” të FIFA-s në mbrojtje të parimit. /Telegrafi/

Exit mobile version