Telegrafi

FIFA hap afatin e pazakontë të transferimeve për lojtarët e huaj që luajnë në Rusi dhe Ukrainë

FIFA ka konfirmuar se ka marrë vendim që të hap një afat kalimtar të pazakontë të transferimeve në Rusi për lojtarët e huaj.

Kjo është bërë për shkak se Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës dhe lojtarët e huaj që kanë mbetur atje, por edhe që janë larguar të kenë mundësi të gjejnë skuadër të re.

Shtëpia e futbollit botëror ka konfirmuar se lojtarët e huaj në Ligën Ruse kanë të drejtë të pezullojnë në mënyrë të njëanshme kontratat e tyre të punës deri më 30 qershor 2022.

Lexo po ashtu Futbollisti brazilian rrëfen për tmerrin 30 orësh duke tentuar të largohej nga Ukraina

Kontratat për lojtarët e huaj në Superligën e Ukrainës gjithashtu janë pezulluar automatikisht.

Lojtarët do të kenë mundësinë që të gjejnë skuadër të re deri më 7 prill dhe më pas të shkëpusin kontratën me klubet ruse.

Ata do të kenë kështu “të drejtën për të prishur në mënyrë të njëanshme kontratën e punës” deri më 30 qershor 2022 dhe do të jenë në gjendje të angazhohen në një tjetër kampionat “deri më 7 prill”, edhe jashtë periudhave të transferimit.

Lojtarët dhe trajnerët e huaj në Ukrainë do të përfitojnë nga e njëjta dispozitë, për t’i lejuar ata të “punojnë dhe të marrin një pagë”, ndërsa “mbrojnë klubet ukrainase” të ndalura nga përleshjet.

Së fundi, lojtarët e vegjël që largohen nga Ukraina do të trajtohen nga FIFA, si të mitur refugjatë, duke hyrë kështu në tregun ndërkombëtar normalisht të mbyllur për fëmijët nën 18 vjeç.

FIFA, e cila ka pezulluar Rusinë nga Kupa e Botës 2022, edhe pse ndaj saj rrezikon një apel në CAS kundër këtij vendimi, “përsëriti qëndrimin e saj pas përdorimit të forcës nga Rusia në Ukrainë”, duke bërë thirrje për “një ndërprerje të shpejtë të armiqësive”. /Telegrafi/