Analisti Fidan Rama ka komentuar zhvillimet e ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës.
Rama në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se pavarësisht rezultatit të ngushtë, partnerët e koalicionit nuk do të shkonin në seancë pa u siguruar se i kanë numrat.
“Partnerët e koalicionit duhet se kanë punuar tërë natën që të kenë numrat në Kuvend. Kjo u pa edhe nga deklaratat e deputetit Haxhi Shala”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Analisti thotë se ka dyshime për arsyet e paraqitura nga Donika Kadaj-Bujupi sa i përket votës së saj kundër Qeverisë Hoti.
“Ne e dimë që dialogun nuk e bën vetëm zoti Hoti, por aty është edhe partia e saj. Pra aty brenda është AAK që ka mundësi të dirigjojë dialogun. E dyta. Kadaj-Bujupi përmend që LDK ka anashkaluar Vjosa Osmanin si më e votuara në LDK. Deputetja në fjalë thua se po jeton në Gjermani dhe nuk e njeh pozicionin e Vjosa Osmanit. Jam i bindur që edhe po t’i ofrohej posti i kryeministrit zonjës Osmani ajo nuk do ta pranonte”.
Duke folur për qëndrimin e deputetit Haxhi Shala, Rama ka thënë se ai ka dhënë një mesazh të çartë për raportet e tij me NISMA-n.
Rama e konsideron lëvizje të befasishme heshtjen e Lëvizjes Vetëvendosje në ditën kur u zgjodh qeveria e Avdullah Hoti.
Ai thotë se edhe vendimi i Kurtit për të mos qenë i pranishëm në pranim-dorëzimin e detyrës nuk është shembull i mirë pasi sipas tij një rotacion pushteti mund të ndodh përsëri.
Analisti ka kritikuar edhe vendimin e Vjosa Osmanit për të mos drejtuar seancën e Kuvendit.
“Ky pozicion i saj është sa i pakuptimtë aq edhe skandaloz…Tek e fundit ajo paguhet për drejtimin e seancës. Nuk po mundem ta kuptoj pse ajo rreshtohet pas çdo pozicionimi të Vetëvendosjes”, tha ndër të tjera Fidan Rama./Telegrafi/