Telegrafi

Festival golash në “Allianz Arena”, Bayerni mposht ekipin e Bochumit

Harry Kane ishte protagonist kryesor me tre gola të shënuar në sfidën që prodhoi shtatë gola mes Bayern Munich dhe Bochum.

Vendasit llogarinë e golave e hapën që në minutën e 4-të të ndeshjes përmes Eric Choupo-Moting i cili e shfrytëzoi për mrekulli asistimin nga Kingsley Coman. (1-0)

Bavarezët nuk u ndalën më kaq, vetëm disa mintua më vonë më saktësisht në minutën e 12-të, ata dyfishuan epërsinë, ku kësaj radhe autor i golit ishte anglezi Harry Kane. (2-0)

Goli i tretë në këtë ndeshje u shënua nga holandezi Matthijs De Ligt në minutën e 29-të pas një harkimi nga Joshua Kimmich. (3-0)

Pak çaste pa përfunduar pjesa e parë e takimit, në minutën e 40-të, në skenë doli Leroy Sane i cili shënoi golin e katërt personal këtë sezon dhe të katërtin për Bayernin në këtë ndeshje. (4-0)

Goli i pestë në këtë sfidë u shënua përsëri nga Harry Kane në minutën e 54-të, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. (5-0)

Në gjashtë numrin e golave e çoi Mathys Tel, i cili pasi u fut nga banka rezervë, shënoi në minutën e 81-të të takimit. (6-0)

Qershinë mbi tortë kësaj ndeshje ia vuri Kane i cili pak çastë pa përfunduar ndeshja, shënoi golin e tij të tretë personal në këtë takim, dhe të shtatin për Bayernin në minutën e 88-të të sfidës. (7-0)

Me këtë fitore Bayern vazhdon lidershipin në Bundesliga me 13 pikë të grumbulluara pas pesë xhirosh të zhvilluara.

Sfidën e radhës Bayerni do ta luajë në kuadër të Kupës së Gjermanisë, aty ku do të përballen me ekipin amator të Münster./Telegrafi/