Telegrafi

Festa e Pavarësisë së Kosovës në Londër, merr pjesë edhe ambasadori i ri britanik

Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër ka organizuar pritjen zyrtare me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në njoftimin për media thuhet se në një ceremoni solemne dhe me pjesëmarrjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me të ftuar të shumtë nga kori diplomatik, autoritete qeveritare dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare të akredituara në Londër Ambasada e Kosovës ka organizuar një pritje në ambientet e “The Royal Horseguards “.

Në fjalimin e mirëseardhjes në këtë ceremoni, ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, Ilir Kapiti foli për rolin e misionit diplomatik të Kosovës në Londër, lidhjet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuan kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ku po qëndron në vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar si dhe ambasadori i emëruar i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Jonathan Hargreaves. /Telegrafi/