Telegrafi

Ferland dhe Edouard Mendy kritikuan përdorimin e gabuar të fotove të tyre në artikujt në lidhje me Benjamin Mendyn që akuzohet për përdhunim

Portieri i Chelseat, Edouard Mendy dhe mbrojtësi i Real Madridit, Ferland Mendy kanë postuar në mediat sociale ankesat e tyre për mediat që kanë përdorur fotot e tyre në artikuj rreth mbrojtësit të Manchester Cityt, Benjamin Mendy, që akuzohet për përdhunim.

Ky i fundit është pezulluar nga Man City pasi akuzohet për gjashtë akuza për përdhunim dhe një sulm seksual, ndërsa aktualisht ndodhet në paraburgim që prej muajit gushtit.

“Është e trishtueshme që në vitin 2021, si në Francë ashtu edhe në Angli, njerëzit me ngjyrë nuk kanë emra apo fytyra të dallueshme” , shkroi portieri i Chelseat në Instagram, ku postoi fotografi të artikujve duke përdorur foto të tij ose të lojtarit të Real Madridit për artikujt rreth Benjamin Mendy.

“Këto gabime në foto duken anekdotike, por janë shumë simbolike. Nuk është aq e vështirë të dallosh dy fytyra, veçanërisht kur veshin këmisha të ndryshme.”

Mbrojtësi i majtë i Real Madridit u etiketua në historinë e Edouard dhe nuk ngurroi të përgjigjej, duke shprehur mirënjohjen e tij për portierin e Chelseat.

“Faleminderit Edouard Mendy!”.

 

“Jemi në vitin 2021! Ndaloni. Do të duhet kohë, por ju do të përfundoni duke na respektuar, ju pëlqen apo jo”, ka shkruar Ferland. /Telegrafi/