Sot rreth orës 01:00, policia ka marrë informatën për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Shukri Hoxha” në Ferizaj.
Sipas një njoftimi të Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori si dhe hetuesit e Mjekësisë Ligjore dhe në dhomë të fjetjes kanë hasur në dy trupa të pajetë, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktimat e rastit kishin ndërruar jetë.
Po sipas Policisë, viktima F.O. 27 vjeçare ishte qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari H.B. 28 vjeçar, përndryshe bashkëshorti i viktimës dhe i njëjti pastaj ka qëlluar edhe veten me një plumb.
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat si dhe është gjetur dhe konfiskuar arma e llojit AK-47 , me të cilën dyshohet se është kryer vepra. Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Me rastin janë duke u marr hetuesit e Sektorit të hetimeve rajonale”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/