Sipas Sir Alex Ferguson, trofeun e ‘Topit të Artë’ do ta fitoj Cristiano Ronaldo.
Ish-trajneri legjendar i Manchester United është i fundit që ka folur për garën e trofeut ‘Topi i Artë’, për të cilin mendon që duhet t’i takoj sulmuesit portugez, i cili sipas tij ka pasur një vit të suksesshëm, duke fituar trofe me ekipin dhe kombëtaren.
“Viti 2016 ka qenë fantastik për Ronaldon. Sukseset e tij janë të paarritshme, kaloi një vit të mrekullueshëm, duke fituar Ligën e Kampionëve me Realin dhe kampionatin Evropian me Portugalinë. Nuk mund të mendoj që dikush tjetër të marrë trofeun e Topit të Artë”, ka thënë fillimisht Ferguson për Marca, përcjell Telegrafi.
“Konfirmimi i tij si një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave nuk ka qenë surprizë. Kam mësuar ta njoh që kur ishte 17-vjeç dhe kam parë se si është rritur profesionalisht”.
“Janë disa talente të futbollit të destinuar për t’u bërë të mëdhenj, por një faktor thelbësor është etika e punës që të bën një lojtar të kompletuar. Edhe në moshë shumë të re ishte shembull për të gjithë te Manchester United”, përfundoi ish-mentori i tij te ‘Djajtë e Kuq’. /Telegrafi/