Ylli francez, Nabil Fekir dëshiron të qëndrojë te Real Betisi përtej këtij sezoni, pavarësisht interesit nga Arsenali dhe Milani.
Sipas gazetës spanjolle Marca, francezi është i lumtur në qytetin e Sevillës dhe dëshiron të ndihmojë Betisin edhe përtej kësaj vere.
Qëndrimin e tij te Betisi e ka konfirmuar edhe presidenti i klubit, Angel Haro.
“Ne kemi folur me Fekir dhe ai është shumë i kënaqur, jo me performancën e ekipit, por me qëndrimin e tij në Sevilla dhe ai dëshiron të vazhdojë”.
“Ne do të dëshironim që ai të vazhdojë, është një lojtar me cilësi të shkëlqyeshme, dhe prej andej do të shohim, por nuk kemi plane për largimin e tij”, ka thënë presidenti i Betisit.
Javën e kaluar u raportua që Arsenali dhe Milani kishin bërë kërkime fillestare për mesfushorin krijues, por tashmë duket dera e mbyllur për dy klubet.
Fekir është lidhur me një largim gjatë verës nga klubi spanjoll, ndërsa ish-klubi i tij Lyon ka të drejtën e 20 për qind të kartonit të tij në çdo shitje të ardhshme, prandaj Betisi kërkon së paku 50 milionë euro për të.
26-vjeçari ka shënuar shtatë gola dhe ka siguruar tre asistime në 23 ndeshjet e tij për Betisin që nga ardhja e tij në verën e kaluar. /Telegrafi/