Federata Spanjolle e Futbollit ka konfirmuar propozimin e saj për mënyrën e ndarjes së vendeve evropiane në rast se sezoni aktual i La Ligas nuk mund të përfundojë.
Ka frikë në rritje se sezoni 2019/20 nuk do të përfundojë për shkak të pezullimit të pacaktuar të futbollit në Spanjë të shkaktuar nga pandemia e coronavirusit.
Sipas mediumeve Marca dhe Cadena Cope, Federata Spanjolle ka thënë se në Ligën e Kampionëve do të shkonin katër vendet e parat aktuale në La Liga.
Momentalisht renditja në La Liga është: Barcelona, Real Madrid, Sevilla dhe Real Sociedad në vendin e katërt.
Kjo do të nënkuptonte se Atletico Madridi do të mbeste në Ligën e Evropës së bashku me Getafen, me të dy klubet që janë afër pozitës së katërt.
Edhe Athletic Bilbao gjithashtu do të shpërblehej me një vend të Ligën e Evropës për shkak të pjesëmarrjes së tyre në finalen e këtij sezoni në Copa del Rey, pasi kundërshtarët e tyre, Sociedadi, tashmë kanë të garantuar një pozicion evropian.
Sidoqoftë, nëse luhet finalja e Kupës dhe Bilbao humbet, atyre nuk do t’i jepej vendi dhe në vend të kësaj do të shkonte Valencia, e cila renditet e shtata.
Ende nuk është e qartë se cili vendim do të merret për sa i përket titullit, rënies dhe inkuadrimit nga kategoria, por Federata Spanjolle duhet të komunikojë në UEFA se cilat klube do të kishin të drejtë të luanin në garat e tyre sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/