Site icon Telegrafi

Federata e Spanjës ka mbetur e detyruar që të ndryshojë datat e ndeshjeve të Superkupës

Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF) ka njoftuar sot (e martë) se kanë ndryshuar orarin e ndeshjeve gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës, e cila do të mbahet në janar.

Real Madridi do të ballafaqohet me Mallorcan më datë 9 janar, një ditë pas ndeshjes mes Barcelonës dhe Athletic Bilbao.

Kështu, ndeshja mes Barcelonës dhe Athletic Bilbaos do të luhet të mërkurën e 8 janarit në ora 20:00, teksa ndeshja mes Real Madridit dhe Mallorcas do të luhet një ditë më vonë në të njëjtin orar.

Juria e kësaj gare e ka marrë këtë vendim me qëllimin që t’i lejojnë Real Madridit pushimin e nevojshëm duke llogaritur hipotezën se ndeshja e suspenduar mes ‘Los Blancos’ dhe Valencias mund të luhet më 2 janar.

Duke marrë parasysh se vetëm tri ditë më vonë më 5 janar do të luhet edhe raundi i 32-të i Copa Del Rey, atëherë nuk do të kishte mjaftueshëm kohë për rikuperim.

Gjysmëfinalja e Superkupës së Spanjës mes Realit dhe Mallorcas ishte paraparë të luhet më 8 janar teksa ajo mes Barceloëns dhe Bilbaos një ditë më vonë.

Kujtojmë se të dy ndeshjet gjysmëfinale si dhe finalja do të luhen në stadiumin ‘King Abdullah Sports City’ në Jeddah./Telegrafi/

Exit mobile version