Ministri i Jashtëm moldav i tha Sky News se e ardhmja e vendit të tij dhe e Evropës në tërësi varet nga mënyra se si përfundon lufta në Ukrainë.
Nicu Popescu tha: “E ardhmja e të gjithë kontinentit mbështetet në kapacitetin e Ukrainës për të ruajtur sistemin e saj politik, qëndrueshmërinë e vendit të saj”.
“Në një farë kuptimi, fati dhe e ardhmja e çdo vendi në këtë pjesë të botës… varet nga mënyra se si përfundon kjo luftë, ku përfundon dhe kur përfundon”, ka thënë ndër tjerash ai, përcjell Telegrafi.
Deklaratat e tij vijnë pak ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “shërbimet speciale” ruse qëndrojnë pas një serie shpërthimesh në një rajon separatist pro-rus të Moldavisë.
Bëhet fjalë për rajonin Transnistria – që kufizohet me Ukrainën – i cili ka parë një numër sulmesh në ditët e fundit.
Ndryshe, më parë, një këshilltar i lartë i presidentit Vladimir Putin tha se rusishtfolësit në Moldavi po shtypeshin – i njëjti pretendim që po përdoret për të justifikuar pushtimin e Ukrainës. /Telegrafi/