Barcelona arriti një fitore të madhe ndaj Villarrealit të dielën mbrëma, duke ruajtur formën e lartë përpara ndeshjes kundër Manchester United të enjten. Ndeshja do të luhet në Camp Nou në play-off të Ligës së Evropës, ku të dyja shkojnë në përballje në formë të mirë.
Blaugranët duhej të luftonin për çdo top në Castellon dhe u detyruan të luftonin në mbrojtje kundër Nëndetëses së Verdhë, por kishte edhe gjëra pozitive – si paraqitja brilante e Ronald Araujos.
Mirëpo, lajmi më i hidhur për Barcelonën për takimin ndaj Manchester United është se do të jetë pa Ousmane Dembelen dhe Sergio Busquetsin – që të dy të lënduar.
Blaugranët kishin arritur në një formulë suksesi në muajin e fundit, me Pedrin dhe Gavin që nominalisht luanin më përpara si pjesë e mesfushës me katër lojtarë, e përbërë nga Frenkie de Jong dhe Busquets gjithashtu. Mungesa e spanjollit kërcënoi të çekuilibronte formulën që ishte gjetur.
Megjithatë kundër Villarrealit, Franck Kessie tregoi se ai mund të performojë mirë në të njëjtin sistem përkrah De Jong. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë nuk ka arritur deri më tani të tregojë më të mirën e tij, por kundër Nëndetëses së Verdhë, vlera e tij ishte evidente. I fortë në duele, ai ishte në gjendje të mbante posedimin duke përdorur edhe trupin e tij në mënyrë inteligjente.
Mes tij dhe de Jong, ata morën 16 topa kundër Villarrealit, mbi gjysma e totalit prej 30 të ekipit, sipas Sport. Kessie u gjet shpesh duke mbuluar Alejandro Balden në krahun e majtë, duke e lejuar të riun të ecë përpara. Po kështu, puna e tij në qendër i dha hapësirë De Jongut të organizonte lojën.
Përpara përballjes së tyre me skuadrën e Erik ten Hag, do të jetë një lehtësim për Xavi Hernandez të dijë se ai mund të mbajë një formulë fituese nëse dëshiron. Ndërsa Busquets, natyrisht se do të kishte dhënë pak më shumë kontroll ekipit. /Telegrafi/