Nga: Martin Wolf / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
A jemi dëshmitarë të rikthimit të fashizmit? A është Donald Trumpi shembulli më i rëndësishëm bashkëkohor i një fashisti? A është Marine Le Pen e Francës? Apo Viktor Orbáni i Hungarisë? Përgjigja varet nga ajo se çfarë do të thotë “fashizëm”. Mirë, ajo që shohim tani nuk është vetëm autoritarizëm. Është autoritarizëm me karakteristika fashiste.
Duhet t’ia fillojmë me dy dallime. I pari është midis nazizmit dhe fashizmit. Siç vuri në dukje i ndjeri Umberto Eco – humanisti dhe autori i Emrit të trëndafilit – në një ese mbi “Ur-fashizmin” botuar në New York Review of Books më 1995, “Mein Kampf-i i Hitlerit është manifest i një programi të plotë politik”. Në pushtet, nazizmi ishte, po si stalinizmi, “totalitar”: kontrollonte gjithçka. Fashizmi i Mussolinit ishte ndryshe. Sipas fjalëve të Ecos, “Mussolini nuk e kishte asnjë filozofi: kishte vetëm retorikë … Fashizmi ishte totalitarizëm i turbullt, kolazh i ideve të ndryshme filozofike dhe politike, një koshere kontradiktore”. Trumpi është po ashtu “i paqartë”.
Dallimi i dytë është midis asaj kohe dhe sot. Fashizmat e viteve 1920 dhe 1930 dolën nga Lufta e Parë Botërore. Natyrshëm ishin militariste, si në mjete ashtu edhe në qëllime. Për më tepër, në atë epokë, organizimi i centralizuar ishte i nevojshëm nëse urdhrat duhej të shpërndaheshin. Në ditët e sotme, mediat sociale bëjnë shumëçka nga kjo punë.
Pra, fashizmi i sotëm është i ndryshëm nga ai i së shkuarës. Por, kjo nuk do të thotë se nocioni është i pakuptimtë. Në esenë e vet, Eco përshkruan një sërë karakteristikash të “Ur-fashizmit – ose fashizmit të përjetshëm”.
Një veçori është kulti i traditës. Fashistët e adhurojnë të kaluarën. Pasoja është se e refuzojnë modernen. “Iluminizmi, epoka e arsyes”, shkruan Eco, “shihet si fillimi i shthurjes moderne. Në këtë kuptim, Ur-fashizmi mund të përkufizohet si irracionalizëm.”
Tipar tjetër është kulti i veprimit për hir të veprimit, nga i cili buron një tjetër: armiqësia ndaj kritikës analitike. Dhe, nga kjo rrjedh se “Ur-fashizmi … kërkon konsensus duke shfrytëzuar dhe përkeqësuar frikën e natyrshme të dallimit … Kështu, Ur-fashizmi është racist në përkufizim”.
Një aspekt tjetër është se “Ur-fashizmi rrjedh nga frustrimi individual ose social. Kjo është arsyeja se pse një nga tiparet më tipike të fashizmit historik ishte apeli për një klasë të mesme të frustruar”.
Ur-fashizmi angazhon – përmes nacionalizmit – përkrahësit që rekruton nga radhët e klasës së mesme të pakënaqur. Ata ndjekës, shton Eco, “duhet të ndihen të poshtëruar nga pasuria dhe forca e dukshme e armiqve të tyre”. Për Ur-fashizmin, për më tepër, “nuk ka luftë për jetë, por, përkundrazi, jeta është të jetosh për luftë”.
Tjetra, për Econ, është fakti se Ur-fashizmi mbron elitizmin popullor. Në Ur-fashizëm, ai shkruan: “Çdo qytetar i përket njerëzve më të mirë të botës”. Për më tepër, “të gjithë janë të edukuar për t’u bërë heronj”.
Për Ur-fashizmin, shton Eco, “Populli është konceptuar si … entitet monolit që shpreh vullnetin e përbashkët. Meqenëse asnjë sasi e madhe e qenieve njerëzore nuk mund të ketë vullnet të përbashkët, Udhëheqësi pretendon të jetë interpretuesi i tyre”.
Origjina e maskuinizmit të dukshëm të Ur-fashizmit është se “Ur-fashisti e transferon vullnetin e tij për pushtet në çështjet seksuale”. Këtu nënkuptohet edhe përbuzja për gratë dhe intoleranca dhe dënimi i zakoneve jo standarde seksuale.
Së fundmi, “Ur-fashizmi flet Njuzpikun” [gjuha e propagandës, term nga libri 1984 i George Orwellit – shën. i përkth.] – shtrihet në mënyrë sistematike. Siç vuri në dukje Hannah Arendt në një intervistë në New York Review of Books më 1978: “Nëse të gjithë gjithmonë të gënjejnë, pasoja nuk është se i beson gënjeshtrat, por përkundrazi se askush nuk beson më asgjë”. Ndjekësit e besojnë liderin, thjesht sepse ai vesh mantelin e shenjtë të udhëheqjes.
Kjo është një listë mahnitëse. Nëse shikohet populizmi i sotëm i djathtë, pikërisht vërehen kultet e së kaluarës dhe traditës, armiqësia ndaj çdo forme kritike, frika nga dallimet dhe racizmi, origjina në zhgënjimin shoqëror, nacionalizmi dhe besimi i zjarrtë në komplote, pikëpamjen se “populli” janë elitë, roli i liderit për t’u treguar ndjekësve të tij atë që është e vërtetë – vullnetin për pushtet dhe maskulinizmin.
Vetëm këtë muaj, Trumpi i përshkroi emigrantët si “kafshë”, kërcënoi me “gjak” nëse nuk fiton në nëntorin e ardhshëm dhe i lavdëroi kryengritësit e 6 janarit 2021 si “patriotë të pabesueshëm”. E dimë se ai dhe mbështetësit e tij synojnë të mbushin burokracinë dhe gjyqësorin me njerëz që personalisht janë besnikë ndaj tij dhe të cilët e kritikojnë sistemin ligjor i cili kërkon llogari: në fund të fundit, ai është mbi ligjin. Jo më pak; e ka kthyer Partinë Republikane në pronë të veten.
Por, lëvizjet e sotme janë gjithashtu më ndryshe nga ato të viteve 1920 dhe 1930. Trumpi nuk e glorifikon luftën, përveç luftërave ekonomike dhe tregtare. Por, e lavdëron Putinin të cilin e quajti “gjeni” për luftën e tij kundër Ukrainës. Politikanët evropianë me rrënjë në të kaluarën fashiste, janë gjithashtu më ndryshe. Megjithatë, edhe ata kanë shumë karakteristika të Ur-fashizmit, veçanërisht tradicionalizmin, nacionalizmin dhe racizmin, por janë pa disa të tjera – veçanërisht glorifikimi i dhunës.
Tani nuk ekziston fashizmi i Gjermanisë apo i Italisë i viteve 1920 dhe 1930, përveç ndoshta në Rusi. Por, e njëjta gjë mund të thuhet për traditat e tjera. Konservatorizmi nuk është ai që ishte një shekull më parë, siç është e vërtetë për liberalizmin dhe socializmin. Idetë dhe propozimet konkrete të traditave politike ndryshojnë me shoqërinë, ekonominë dhe teknologjinë. Kjo nuk është çudi. Por, këto tradita kanë ende një bërthamë të përbashkët të qëndrimeve ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë. Kjo vlen edhe për fashizmin. Historia nuk përsëritet. Por, rimon. Tani po rimohet. Mos jini të vetëkënaqur. Është e rrezikshme të bëni xhiro mbi fashizmin. /Telegrafi/