Site icon Telegrafi

Familjarët nuk mund t’i vizitojnë të lënduarit, por Mickoski po: I kam respektuar të gjitha protokollet

Kryeministri Hristijan Mickoski sot ka vizituar pacientët në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori”, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda pas natës fatale në Koçan. I pyetur nga mediat pse familjet nuk mund të vizitojnë të lënduarit, por ai mundet, ai u përgjigj se ideja e tij ishte të dërgonte mesazh për publikun.

“Dje i kam vizituar pacientët, i kam vizituar edhe sot. I zbatova të gjitha protokollet absolutisht siç kërkohej nga stafi mjekësor. Unë nuk kam shkuar askund me kamera dhe nuk kam ndërmend të bëj PR nga kjo”.

“Fotot publikohen nga pjesa e pasme e kokës së pacientit, gjithmonë me shumë kujdes. Këtë po e bëj për të treguar që nuk fshihem, por për të dalë tek ju për të folur hapur dhe përmes jush për t’iu drejtuar qytetarëve. Besoj se këto mesazhe janë të rëndësishme për qytetarët në këtë moment. Nëse dëshironi, mos publikoni asgjë, më lejoni të bëj punën time”, tha Mickoski.

Ai deklaroi se për momentin është duke u zhvilluar aksioni për të kontrolluar plotësimin e kushteve ligjore për funksionimin e të gjitha kabareteve dhe lokaleve të natës.

I pyetur pse nuk është bërë kontroll në diskotekën “Pulse” as në periudhën e qeverisë së re, e as të kaluarës, ai tha se sipas ligjit të vitit 2007, Inspektorati i Tregut nuk është i obliguar ta bëjë këtë, por vetëm të dalë në terren dhe të veprojë sipas kallëzimit./Telegrafi/

Exit mobile version