Telegrafi

Familjarët e viktimave të 21 janarit bëjnë kallëzim të ri kundër Berishës e Bashës në Prokurorinë e Posaçme

Familjarët e katër viktimave të “21 janarit” kanë dorëzuar këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) një kallëzim të ri në lidhje me vrasjen në bulevard të familjarëve të tyre.

Euronews Albania ka mundur të sigurojë kallëzimin e bërë kundrejt ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, drejtuesit të Gardës Ndrea Prendin, dhe gardistit Agim Llupo në rolin e ekzekutorit.

Kallezimi i ri vjen disa ditë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli moskompetencën për hetimin e dy kallëzimeve të Partisë Socialiste dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.

SPAK duke shpallur mos-kompetencën për 21 janarin e kaloi dosjen sërish në Prokurorinë e Tiranës.

Duket se familjarët e viktimave nuk kanë besim tek prokuroria e kryeqytetit, përfshirë dhe xhaxhain e Aleks Nikës i cili ka deklaruar publikisht se audioinçizim që disponon për komunikimet e brendshme të gardës më 21 janar, do ta dorëzojë vetëm në SPAK. /Telegrafi/