Site icon Telegrafi

“Familja më dërgonte nga 50 euro prej Prishtinës” – Curri tregon si nuk morri asnjë pagë gjashtë muajt e parë në Ukrainë

I ftuari i radhës në një podcast për Telegrafin ka qenë ish-futbollisti dhe trajneri i njohur Debatik Curri, i cili ka treguar për vështirësitë që kishte kaluar gjatë kohës sa kishte luajtur në Ukrainë.

Curri ka qenë i ftuari i radhës në podcastin e Telegrafi Sport, ku ka folur gjerë e gjatë për karrierën e tij si futbollistë, por edhe si trajner.

Fillimisht ai ka rrëfyer se si në gjashtë muajt e tij të parë të aventurës në Ukrainë ka luajtur pa para, kjo për shkak se sponsori i klubit gjatë asaj kohe ishte larguar duke e dërguar klubin në bankrotim.

“Edhe pse gjashtë muajt e parë që kemi qenë në Ukrainë ka qenë vështirësi sepse momentin që firmosa unë sponsori i klubit u largua dhe klubi bankrotoi”, ka thënë fillimisht Curri.

“Në shtëpi kam kërkuar para, m’i dërgonin nga 50 euro, 100 euro kështu duke e shty, tri herë kam qenë duke u kthy”.

“E mbaj mend Afrim Muçiçin në telefon më thoshte kur në Prishtinë erdhi kryesia e re, po ta paguaj biletën eja çfarë po bën atje pa pare pa asgjë. Babai im më thoshte ‘rri, se të sheh dikush’, ndonjë klub tjetër, luaja mirë”.

“Thënë të drejtën kjo, nga pak më ndihmonin familja sepse nuk kemi pasur asnjë cent, vetëm ushqimin e kishim dhe jetonim në bazën e klubit, bile ata të klubit bënin hajgare nëse doni me i marr karriget e restaurantit me i shit se nuk keni asnjë pare, asnjë të ardhur”.

Në fund, Curri tregoi se si gjithçka u bë më e lehtë kur në klub arriti sponsori i ri dhe ai pagoi të gjitha borxhet dhe pagat e futbollistëve.

“Kur erdhi sponsori i ri i shylejti të gjitha borxhet, u stabilizua klubi. Pastaj e spastruan aty dhe unë iu tregova se kemi mbetur vetëm unë dhe një tjetër dhe trajneri i ri formoi një ekip të ri, morën huazim shumë futbollistë të shkollës së Dinamo Kievit dhe vazhduam pastaj që patëm edhe suksese”, përfundoi Curri.

Më poshtë mund ta ndiqni gjithë podcastin e Debatik Currit në Telegrafi Sport.

/Telegrafi/

Exit mobile version