Telegrafi

“Faleminderit Zot, mbijetuam”, rrëfimi i ukrainasve pas çlirimit të qytetit Shevchenkov

Qyteti Shevchenkov në Ukrainë është çliruar pas gjashtë muajve, që kur forcat ruse e pushtuan këtë qytet, por në rrugët e këtij vendi në verilindje të Ukrainës nuk ka edhe aq shumë nuanca gëzimi.

Rrugët praktikisht ishin të zbrazëta, pesë ditë pasi që forcat ukrainase u futën brenda. Kamionët e tyre dhe policia ishin të vetmit që konsideroheshin si “banorë” dhe rikujtesë, se kush është kryesori tani atje, transmeton Telegrafi.

Siç raporton CNN, rrugët i frekuentonin rrallë civilët, e disa prej tyre qëndronin pranë stacionit të policisë që t’ju kontrollohen telefonat, nga frika se mund të ketë bashkëpunëtorë të okupatorit.

Policia në Kharkiv ka refuzuar të deklarohet për CNN-in se çfarë do të ndodhë me ata që akuzohen për tradhti apo spiunazh. Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se kushdo që ka bashkëpunuar me forcat pushtuese, do të përballet me sanksione.

E ata civilë që dilnin nga shtëpitë mbanin kokën poshtë dhe vraponin drejt kamionëve me ushqim, të cilët i menaxhon personeli ushtarak i Ukrainës. Nga ata kamionë u shpërndanin shishe me ujë dhe qese të plastikës të mbushura me artikuj ushqimor.

Kishte pak civilë që ishin të gatshëm të flasin me mediat, e kamerat e CNN-it është dashur të largohen kur policia dërgonte në stacion personat me sy të mbyllur dhe me pranga në duar.

Kishte vetëm disa gra të moshuara që shëtisnin në park dhe që pranuan të flasin – fillimisht nga nevoja dhe nga fakti se prej muajsh nuk kishin biseduar me askënd.

“Nuk kemi pasur zgjedhje. Vetëm kanë ardhur dhe na kanë okupuar”, tha Maria, e cila për arsye të sigurisë ka refuzuar të tregoj mbiemrin.

Mikesha e saj, 73-vjeçarja Larisa Harkivska, ka pranuar t’ua tregojë rrugën drejt shtëpisë të cilën e ndan me të bijën 35-vjeçe Svjetlana, që është invalidë. Sipas Harkivskës, ata janë të vetmet që kanë mbetur në ndërtesën kolektive.

Të gjithë ata që i kanë pasur nga 400 dollarë, sa edhe ka kushtuar evakuimi nëpërmjet rusëve, e kanë bërë një gjë të tillë – pra janë larguar.

“Çdo mbrëmje prej orës 20:00 e deri në 6 të mëngjesit nuk kemi pasur energji elektrike e ujë. Falë Perëndisë kemi mbijetuar. Por ka qenë e tmerrshme. Tani shpresojnë se kurrë më nuk do të rikthehen rusët”, tha ajo .

Ky qytet që gjendet rreth 80 kilometra në juglindje nga Kharkivi, ishte okupuar nga rusët gjatë 25 shkurti – vetëm 24 orë pasi kishte filluar pushtimi në Ukrainë. /Telegrafi/