Telegrafi

“Më fal që nuk je më” – Fifi e dëshpëruar pasi u shemb Teatri Kombëtar në Tiranë

Filloreta Raçi- Fifi (Foto: Instagram/fifi.official.fr)

Shumë artistë të estradës shqiptare janë revoltuar pasi u shemb Teatri Kombëtar në Tiranë. Një gjë e tillë ka ndodhur në mëngjesin e hershëm të ditës së sotme (e diel), ku u publikuan imazhe të shumta të shembjes së monumentit kulturor.

Këngëtarja Folloreta Raçi, e njohur me emrin artistik Fifi, e cila tash e një kohë po zhvillon karrierën muzikore në Tiranë, ka reaguar pas një vendimi të tillë.

“Më fal që nuk je më. Kur mbarova shkollën e mesme shkova dhe aplikova për degën ‘Regji Teatri’ në Universitetin e Prishtinës. Shkova shumë e papërgatitur”.

 

“I ndjeri profesor/regjisor Bekim Lumi më pyeti: ‘Pse e dashur e ke zgjedhur këtë drejtim?’. Përgjigja ime ishte: Dua historisë së teatrit t’i shtohet emri im, dua të jetoj e të marr frymë në dërrasat e kalbura të teatrit, dua që një ditë të gdhendet emri im në muret e çdo teatri shqipfolës”.

“Më vjen keq o artistë që nuk isha atje të dal bashkë me ju e të protestoj kundër rrënimit të kulturës e historisë artistike të shqiptarëve. Më vjen keq që pak e nga pak po ngelemi pa identitet. Më fal”, ka shkruar Fifi në postimin e saj.

Filloreta Raçi e njohur ndryshe me emrin Fifi, para se të hynte në botën e muzikës, i përkiste teatrit, pasi edhe ishte shkolluar në degën “Regji Teatri”. /Telegrafi/