Site icon Telegrafi

Fadil Geci udhëton në Hagë, do të dëshmojë në Gjykatën Speciale

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci ka njoftuar se vëllai i tij, Fadil Geci ka udhëtuar për në Hagë, për të dëshmuar në Gjykatën Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Geci ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se vëllai i tij tashmë ka mbërritur në Hagë.

“… Fadili do të thotë haptas të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për komunikatën nr. 59, për plagosjen e vëllezërve të vet dhe për vrasjen e shokëve tanë”, ka shkruar Ganiu.

Ndërsa në një postim tjetër, ish-deputeti Geci, ka shkruar se dëshmia e vëllait të tij në Gjykatën Speciale do të jetë e hapur dhe do të flitet për një deklaratë të Rexhep Selimit, i cili po ashtu është duke u gjykuar në Gjykatën Speciale.

“Dëshmia e tij do të jetë e hapur, që ta dinë e gjithë bota shqiptare se kush qëndronte pas vrasjeve politike të rugovistëve, i cili do ta vërtetojë deklaratën e gjeneral Rexhep Selimit ku thotë se: “Pikë për pikë e ka shkruar Polari dhe kur i thotë Rexha Polarit: ‘Pse ke shkruar të pavërteta’, përgjigjja e Polarit ishte: ‘Po du me i shkatërrue plotësisht’”, ka shkruar Geci.

Geci ka përmendur komunikatën numër 59, për të cilën thotë se kanë punuar qe 26 vjet për ta zbardhur dhe se pas shkrimit të saj, vëllai i tij, Fadil Geci në vitin 1998 i kishte shkuar në shtëpi ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Postimi i plotë i Gani Gecit: 

“ERDHI DITA KUR GJYKATA E KOSOVËS DO TA ZBARDHË TË VËRTETËN E KOMUNIKATËS 59, TË SHKRUAR NGA HASHIM BROJA
Halil Geci .

Sot erdhi dita e shumëpritur për të fluturuar për në Hagë, në Gjykatën Speciale të Kosovës, e dëshmitarit dhe buldozherit të luftës dhe politikës rugoviane, vëllat tonë, Fadil Geci.

Dëshmia e tij do të jetë e hapur,që ta dinë e gjithë bota shqiptare se kush qëndronte pas vrasjeve politike të rugovistëve, i cili do ta vërtetojë dekleratën e gjeneral Rexhep Selimit ku thotë se: “Pikë për pikë e ka shkruar Polari dhe kur i thotë Rexha Polarit: “ Pse ke shkruar të pavërteta”,përgjigjja e Polarit ishte:” Po du me i shkatrrue plotësisht”

Këtë të vërtetë para Gjykatës duhet ta dëgjojë me vëmendje edhe kryeministri Kurti që ta dijë se Abedin Rexha ka vdekur, e jo siç thotë ai kinse është vrarë në malet e Kllodernicës.

Për ta zbardhur komunikatën nr 59, është punuar qe 26 vite nga të gjithë ne – vëllezërit Geci.

Ne vitin 1998, pas shkrimit të kësaj komunikate famëkeqe dhe ogurzezë, vëllai ynë Fadil Geci kishte shkuar ne Brojë në shtëpinë e Hashim Thaqit për të kërkuar sqarime rreth kësaj komunikate të pabazë e të paskrupullt.

Aty ishte takuar me babanë e Hashim Thaqit dhe vëllanë e madh të Hashim Thaqit, Gani Thaqin.

Tani për t’i sqaruar këto takime rreth kësaj komunikate, vëllanë tonë Fadil Gecin, e ka ftuar Gjykata Speciale.

Vlen të theksohet se pas kësaj komunikate,vjen reagimi i Shtabit të Drenicës dhe të gjitha dëshmitë ia kemi dërguar edhe Adem Demaqit dhe Albin Kurtit përmes tre personave që të tre janë gjallë: Rrustem Suhadolli nga Mitrovica, Merita Kajtazi nga Tamniku dhe një personn tjetër me mbiemrin Babaj e që për arsye personale, nuk po ia përmendim emrin.

Tani e lusim Kryministrin Republikës së Kosovës që ta përcjellë dëshminë e të mos jetë propagandues i grupeve Marksiste-Leniniste!

Të gjithë ata që kanë “marrë në thua” në ne, kanë përfunduar si është më së keqi. Dikush ka mbetur në Hagë e disa nën hije të mrizit,e disave Zoti i madh ua ka marrë shpirtin pa të keqen e askujt!
Dhe për në fund, jemi të bindur se drejtësia do të triumfojë se afër tri dekada kemi luftua fyt për fyt me tradhtarë,për ta zbardhur të vërtetën, eh pra sot i erdhi dita që të zbardhet e vërteta rreth
Komunikatës 59.

Komunikatë kjo, THAÇISTE dhe si pasojë e kësaj Komunikate i kemë të vrarë dy shokë dhe të plagosur dy vëllezër” (sic.), ka shkruar Geci. /Telegrafi/

Exit mobile version