Gjatë fushatës presidenciale në SHBA në Facebook janë shpërndarë shumë lajme të rrejshme që janë marrë nga faqet e ndryshme të teorive të komplotit. Individë të ndryshëm nga vende të ndryshme të botës kanë publikuar lajme me tituj dramatikë dhe sensacionalë që të tërheqin sa më shumë lexues dhe të rritet numri i pëlqimeve.
Informacionet e pavërteta janë problem i vjetër në rrjetet sociale, por pas fushatës presidenciale në SHBA, filluan kritikat e mëdha ndaj Facebookut.
Portalet kanë pasur emra që iu përshtateshin publikut amerikan, si US Conservative Today apo World Politics US, që mbështetnin Donald Trumpin dhe kritikonin Hillary Clintonin. Faqet e tilla ishin të rregulluara si portalet klasike me lajme dhe dukeshin si burime legjitime të lajmit, por lexuesit e tyre nuk arrinin direkt në portal, por ata krijonin lexues kryesisht me anë të Facebookut.
Qëllimi i tyre ishte që të përfitonin sa më shumë para, kurse njëkohësisht e paguanin Facebookun që lajmet e tyre të arrinin te sa më shumë lexues, të cilët pastaj vazhdonin duke i shpërndarë dhe duke ua rekomanduar miqve të tyre.
Facebooku nuk i dallon mediat serioze nga mijëra faqe me lajme të rrejshme. Artikujt e shkruar nga gazetarët profesionistë, ku faktet janë të konfirmuara dhe që i janë nënshtruar seleksionimit redaktues, për Facebookun kanë të njëjtën vlerë me artikujt që burojnë nga imagjinata e dikujt që thjesht dëshiron të përfitojë para.
Në vitet e fundit, rrjetet sociale janë ndër burimet kryesore të lajmit, ndërsa njerëzit nuk i konsiderojnë burime të sigurta të lajmit mediat tradicionale. Prandaj, edhe pse vetëm dy gazeta të shtypura në SHBA (nga 100 sosh) e mbështetën Trumpin, ai doli fitues. Dhe për këtë ndikim të madh kanë pasur rrjetet sociale.
Themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg, ka thënë se kompania e tij është duke u angazhuar që të rregullojë çështjen e lajmeve ‘të verifikuara’ dhe ‘të paverifikuara’, përmes një algoritmi që do të bëjë përzgjedhjen e tyre.
Ai i ka hedhur poshtë akuzat që e konsiderojnë Facebookun fajtor për fitoren e Trumpit dhe Brexitin duke thënë se vetëm një numër shumë i vogël i përmbajtjes (1 për qind) në rrjetin më të madh social janë të pavërteta. “Prandaj, është pak e besueshme që mashtrimet kanë ndikuar në zgjedhje, në cilëndo formë”, ka thënë Zuckerberg.
Megjithatë, pos fjalëve, kompania nuk ka publikuar kurrfarë shifrash që i mbështesin pohimet e tij. Ndërkohë, faqet e ndryshme që prodhojnë lajme të rrejshme e që i shpërndajnë me anë të Facebookut, vazhdojnë të përfitojnë para.
Burime brenda Facebookut thonë se Zuckerbergu ka qenë i vetëdijshëm për sasinë e lajmeve të rrejshme, por kompania qëllimisht ka vendosur ta injorojë problemin.
Programuesit i kanë njoftuar shefat e tyre në fillim të këtij viti se duhet të bëjnë ndryshime për t’i eliminuar lajmet e rrejshme, megjithatë drejtorët kishin vendosur që t’i anulojnë ndryshimet e planifikuara, sepse kanë pasur frikë se do të akuzohen se po i ndihmojnë demokratët.
Edhe pse nuk e kanë pranuar zyrtarisht përgjegjësinë për ndikimin e tyre në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Google dhe Facebook kanë premtuar se do të marrin masa për të ndaluar shpërndarjen e lajmeve të pavërteta. Google do t’ua ndalojë shfrytëzimin e AdSense-ve faqeve të tilla dhe duke ua ndaluar të hyrat, ato nuk mund të ekzistojnë.
Facebooku, nga ana tjetër, akoma heziton që t’i largojë linqet e faqeve të tilla që shpërndahen në këtë rrjet social. Ndërsa pritet të shihet se çfarë hapash do të ndërmarrë në të ardhmen për pengimin e këtij fenomeni.
Ndryshe, në tre muajt e fundit të fushatës zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, 20 lajmet e rrejshme me rezultate më të mira kanë pasur 8.7 milionë shpërndarje, reagime dhe komente në Facebook.
Nga 20 lajmet e pavërteta më të suksesshme, 17 ishin ose pro Trumpit ose kundër Clintonit. Dy nga më të mëdhatë ishin kinse Papa e ka mbështetur Trumpin dhe se Clinton i ka shitur armë ISIS-it. /Telegrafi/