Site icon Telegrafi

Facebook duhet të ndryshojë për të zgjeruar debatin politik, jo për të ngushtuar mendjen njerëzore

Debati i madh rreth grumbullimit të të dhënave të miliona njerëzve përmes Facebook, mund të jetë një pikë kthese e mirëpritur ndaj rritjes në dukje të papërmbajtshme të kompanive të mëdha të teknologjisë.

Deri në fund të javës së kaluar, Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook, ishte i zënë duke kërkuar vazhdimisht kërkim-falje publike, ndërsa çmimi i aksioneve të kompanisë së tij ra ndjeshëm, në një kohë që Tim Cook, drejtori i përgjithshëm i Apple, bëri disa herë thirrje për një “rregullore të shkruar” që do të disiplinojë këtë industrie të re të madhe.

Argumentet dhe propozimet që kanë dalë ditët e fundit, janë të gjitha rreth mënyrës së mbrojtjes së privatësisë. Më në fund, Facebook dhe shpura e tij, po ndërgjegjësohen rreth rreziqeve të kalimit tek të tjerët të një mase të madhe të informacionit mbi përdoruesit e tij.

Dhe kjo ka ardhur pas presionit të madh dhe të justifikuar ndaj kompanive të medies sociale, për të ndaluar përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe kriminalitetit në faqet e tyre.

Është e qartë se një valë e ligjit dhe e rregulloreve, është gati të prekë Facebook, Twitter dhe Google.

Njerëzit e shkëlqyer që drejtojnë këto kompani, mund të ishin në pararojë kësaj të gjithë kësaj dhe të reformonin veten nëse do të kishin menduar realisht mbi këto çështje në kohën e duhur. Këshilla ime ndaj tyre është që të mendojnë për atë që vjen më pas dhe ta parashikojnë atë. Sepse kjo është diçka më e madhe, se sa vetëm dhënia e të dhënave personale. Është roli i medies sociale që ka një prirje alarmuese: ngushtimin e mendjes njerëzore.

Që në fillimet e veta, interneti ka pasur potencial për të hapur mendimet dhe njohuritë tona. Për herë të parë në histori, të gjithë ne kemi qasje të menjëhershme ndaj ideve nga kudo dhe në të gjithë hapësirën e të nxënit njerëzor. Do të ketë shumë përfitime për këtë, sidomos në përparimet shkencore dhe mjekësore.

Megjithatë, është vështirë të identifikohet kudo në moment, se kur debati publik po bëhet më tolerant, më i kuptueshëm ndaj pikëpamjeve të të tjerëve dhe më gjerësisht i informuar rreth alternativave.

Në të gjithë botën, politika po bëhet gjithnjë e më e polarizuar midis ekstremeve. Tendenca të tilla, kanë shumë shkaqe, por nuk ndihmon aspak fakti që bota e kompanive të teknologjisë, është e projektuar për t’iu mbajtur të lidhur dhe iu dhënë shumë më tepër nga ajo që dëshironi.

Për kompanitë e konsumit kjo duket e natyrshme dhe është thjeshtë një shitje e mirë: nëse shkarkoni filma fantastiko-shkencorë, do t’iu ofrohen shumë më tepër prej tyre dhe nëse vazhdoni të blini libra nga një autor në internet, ju do të njiheni me veprën e tij të ardhshme, teksa jeni duke e mbaruar të parën.

Megjithatë, sapo kjo të bëhet metoda e përhapjes së ideve dhe informacionit politik, atëherë do të ekzistojë një problem i dukshëm. Prandaj, është me rëndësi thelbësore për të ardhmen e një shoqërie të lirë, që para nesh të vendosen pikëpamjet e kundërta për partitë, zgjedhjet dhe qeveritë.

Tani që mediet sociale, janë bërë një nga mjetet kryesore të informimit për njerëzit- sipas një studimi 67 për qind e të rriturve amerikanë, i marrin lajmet e tyre nëpërmjet Facebook-ut, po bëhet gjithnjë e më urgjente që ta vendosim këtë problem në rrugën e zgjidhjes.

Kompanitë e interesuara, duan që ju të jeni të ndërvarur, në mënyrë që ato të kenë mundësi të mbledhin të dhëna rreth zakoneve tuaja dhe të shesin më shumë reklama. Ato ju paraqesin imazhe dhe materiale që përforcon pikëpamjet që tashmë i keni.

Dëshmitë e fundit, kanë treguar se shikimi i videove politike në YouTube, çon në ofrimin e materialeve edhe më radikale dhe ekstrem, qofshin të spektrit të majtë apo të djathtë, përcjellë Telegrafi.

Natyrisht, që është zhvilluar një mjedis ku njerëzit kanë më shumë gjasa të besojnë në komplotet qesharake ose “lajmet e rreme”, pasi nuk dëgjojnë provat kundër tij. Është një fakt i njohur psikologjik, se të gjithë ne jemi subjekt i “konfirmimit paragjykues”, duke besuar gjëra që mbështesin opinionet tona ekzistuese.

Për miliona njerëz në Britani të Madhe dhe vende të tjera, mjetet kryesore të mësuarit rreth botës, tani po e përforcojnë atë paragjykim në vend se ta kundërshtojnë atë. Kjo është rruga drejt jo tolerancës, fanatizmit dhe mendjes-ngushtësisë.

Pra, çfarë duhet të bëhet? Natyrisht, si individë, ne mund të sigurohemi që të lexojmë një shumëllojshmëri gazetash cilësore dhe të dëgjojmë emisione radiofonike të balancuara. Por shumica e njerëzve nuk e bëjnë këtë. Apo më saktë, shefat e medieve sociale mund të shprehen se e kuptojnë këtë dhe po ndërmarrin veprime. Duhet të dalim publikisht dhe të themi se këto uebfaqe, janë tani kompani mediatike po aq të rëndësishme sa stacionet e hershme televizive, si pjesë e shoqërisë sonë – stacione, prodhimi i të cilave është rregulluar gjithmonë me kujdes.

Ne do të zbatonim një version të këtyre rregullave në mediet sociale, duke përfshirë një ndalim total të reklamave politike dhe kërkesën për ballafaqimin e pikëpamjeve dhe kundërshtimeve që do të shfaqen së bashku në çfarëdolloj mënyre të mundshme. Dhe duhet të publikohen edhe algoritmet, me të cilat ata vendosin se çfarë t’u tregojnë njerëzve.

Zuckerberg dhe të tjerët, mund të tmerrohen nga një ide e tillë, por ata do të ishin të mençur po ta ndërmarrin vetë këtë veprim, për t’i bërë rregullore të tilla të panevojshme. Për njerëzit që janë kaq të mençur në vëzhgimin dhe formësimin e tendencave të së ardhmes, do të ishte inkurajuese nëse do ta merrnin konsideratë diçka të tillë. /The Daily Telegraph /Telegrafi/

Exit mobile version