Site icon Telegrafi

Fabrizio Romano zbulon të vërtetën për transferimin e mundshëm të Lamine Yamal te PSG-ja

Gjatë ditës së sotme pati raportime që pretendonin se e ardhmja e Lamine Yamal mund të jetë larg Barcelonës. Kjo për shkak se u tha që një ofertë ‘astronomike’ në vlerë prej 200 milionë eurosh nga Paris Saint-Germaini do të shkojë në drejtim të blaugranasve.

Sidoqoftë, këtë e ka demantuar gazetari i njohur Fabrizio Romano, i cili ka thënë se PSG-ja nuk i ka dërguar ndonjë propozim Barcelonës sa i përket Yamal.

Parisienët nuk janë të interesuar për të nënshkruar me sulmuesin e djathtë përkundër largimit të Kylian Mbappe, pasi ata tashmë kanë në radhët e tyre Bradley Barcola dhe Ousmane Dembele që mund të mbulojnë atë pozitë.

Fokusi i PSG-së mbetet që të nënshkruajë me një qendërsulmues për të plotësuar boshllëkun e largimit të Mbappes gjatë verës. Sa i përket këtij qëllimi, parisienët janë lidhur fortë me një transferim të Victor Osimhen nga Napoli.

Romano gjithashtu ka theksuar se Barça nuk janë të gatshëm që të pranojnë shitjen e Yamal. Plani i tyre është që të rinovojnë kontratën e sensacionit spanjoll përtej verës së vitit 2025.

Lexo po ashtu Ish-lojtari i Barcelonës ndryshon emrin e tij për shkak të filmit vizatimor Dragon Ball

Për të shmangur rrezikun e largimit të 16-vjeçarit në të ardhmen, drejtuesit e klubit kanë marrë vendim që t’ia vendosin një klauzolë në vlerë prej 1 miliardë eurosh.

Yamal po kalon në një formë spektakolare për Barcelonën këtë sezon, teksa deri më tani numëron gjashtë gola dhe shtatë asistime në 37 paraqitje në të gjitha garat./Telegrafi/

Exit mobile version