Telegrafi

Fabregas: Arsenali do të jetë gjithmonë në zemrën time, pse të mos kthehem në Emirates

Cesc Fabregas (Foto: Shaun Botterill/Getty Images/Guliver)

Mesfushori i Chelseat, Cesc Fabregas ka hapur derën për një rikthim të mundshëm të tij te Arsenali.

Pas tre sezoneve të suksesshme me Blutë e Londrës, Fabregas mbete jashtë kontratës në fund të sezonit dhe mbetet e paqartë nëse atij do t’i ofrohet një rinovim.

Spanjolli beson se ende ka shumë për të ofruar si futbollist dhe nuk ka përjashtuar një kthim në Arsenal, ku ai bëri debutimin e tij profesionist si një 16-vjeçar.

“Ndihem mirë. Kam edhe shtatë muaj për ta përfunduar kontratën time me Chelsean”, ka thënë fillimisht Fabregas për gazetën spanjolle Marca.

Fabregas njihet për vizionin e tij të lartë dhe asistimet e shumta (Foto: Paul Kane/Getty Images/Guliver)

“Jam duke e luajtur sezonin e 16-të në nivelin më të lartë, mbi 750 ndeshje, shumë trajnime, udhëtime…”.

“Ndihem i ri dhe i fortë, por ndoshta nuk mund të bëj 60 ndeshje në sezon. Me stilin tim mendoj se mund të vazhdoj të luaj më gjatë dhe natyrisht që dua të vazhdoj të luaj për shumë vite”.

“Natyrisht, Arsenali do të jetë gjithnjë në zemrën time dhe unë kurrë nuk do t’i harroj ata, kështu që pse të mos ktheheni”, përfundoi ylli spanjoll.

Nuk është e qartë nëse tifozët e Arsenalit do ta mirëpresin Fabregasin përsëri në klub, pasi tifozët Topçi ndiheshin të mërzitur kur 31-vjeçari u bashkua me rivalët e tyre londinez nga Barcelona në vitin 2014. /Telegrafi/