Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka bërë të ditur se Serbia ka kërkuar nga EULEX përfshirjen e organeve të saja shtetërore në hetimet lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Sipas kësaj ministrie drejtori i policisë Vladimir Rebiq ka biseduar lidhur me këtë çështje me përfaqësues të misionit evropian në Kosovë.
Lidhur me këtë kërkesë të Serbisë, në EULEX thonë se vendosin autoritetet kosovare.
“Misioni i EULEX-it nuk merr vendime të kësaj natyre. Autoritetet vendore vendosin se a do të përfshihet apo jo Serbia zyrtare në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviq”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Telegrafin.
Një gjë të tillë e ka thënë mbrëmë edhe ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviq. Sipas mediave serbe, Kuburoviq ka deklaruar se janë autoritetet e Kosovës ato që vendosin nëse Serbia do të jetë pjesë e hetimit të kësaj vrasjeje.
Ndërkaq kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqri Syla ka thënë sot për Telegrafin se janë duke punuar intensivisht dhe krejt angazhimet janë në zbulimin e kryesve të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Oliver Ivanoviq u vra mëngjesin e së martës pranë selisë së tij në veri të Mitrovicës. /Telegrafi/