Site icon Telegrafi

A është përfundimtar refuzimi i Kurtit për targat, flasin analistët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat ilegale në RKS.

Sipas Analistit Ylli Hoxha, jo-ja e tij është një e drejtë sepse e njëjta vjen pas një shtyrje të një afati të tillë, por ai thotë asnjëherë nuk duhet thënë “kurrë”.

“Jo-ja e Kurtit është parimore dhe e drejtë sepse vjen pas një shtyrje përgjatë verës me lutjen e SHBA-ve mbi një pretekst të mos eskalimit të situatës. Shtyrja e dytë prej dhjetë muajsh vjen prap por për të duhet të ketë sqarime se pse është e nevojshme”, ka deklaruar Hoxha në Debat Plus të RTV Dukagjini.

Se a do të realizohet një gjë e tillë, Hoxha ka thënë se varet nga intensiteti i kërkesës nga ana e SHBA-ve.

“Mendoj që është mirë që “Jo” të mbetet e tillë dhe BE-ja të kuptojë se kur bëhet një marrëveshje ajo duhet të zbatohet”.

Por a paraqet kjo një përgjigje përfundimtare të Kurtit?

Sipas Astrit Gashi, Kurti nuk dha një përgjigje definitive sepse i njëjti e di peshën e vendimit të tij, peshë e cila thekson se nuk ka të bëjë vetëm me targat.

“Padrejtësitë që po i bëhen Kosovës janë të vërteta por një kryeministër do të vendosë se cili është rezultati dhe dëmi më i madh”, ka deklaruar ai gjersa ka thënë se çështja e targave duhet të shërbejë në të mirën e vendit dhe jo në dëm të tij.

Gashi thotë se me kërkesën për targat presioni është më shumë te Serbia se te Kosova.

“Me targat Kosovës i kërkohet të mbes në proces, derisa Serbisë i kërkohet të largohet nga Rusia”.

Dardan Gashi nga ana tjetër thotë se Kurti para disa muajsh Qeveria pranoi letërnjoftimet ilegale serbe, është paradoksale që të bëjnë problem targat ilegale.

“Të dyja këto lëshohen nga e njëjta zyre”, ka shtuar Gashi duke iu referuar tabelave dhe letërnjoftimeve ilegale.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se kohëve të fundit për SHBA-të, ruajtja e paqes rajonale ka qenë më e rëndësishme se arritja e ndonjë marrëveshjeje.

“Natyrisht se do ë ishte mirë që të mos ketë tensione ne fund të muajit, por kjo që do të vendos  Kurti shpresoj se do të jetë hap që do të afronte marrëveshjen, e jo të kundërtën që me sa duket Vuqiqit po i konvenon shtyrja e marrëveshjes”, deklaroi Ymeri.

Kurti kishte theksuar se masa për kthimin e targave ilegale në ato legale, nuk është masë kundër serbëve por kjo sipas tij po bëhet vetëm për ta respektuar ligjin./Telegrafi/

Exit mobile version