Raul Jimenez është njëri nga sulmuesit më të mirë këtë edicion në elitën e futbollit anglez.
Sulmuesi meksikan ka shënuar rregullisht këtë edicion, teksa po kërkohet nga skuadrat më të mëdha evropiane si PSG, Real Madrid, Manchester United apo Manchester City.
28-vjeçari ka realizuar 22 gola dhe ka bërë 10 asistime në të gjitha ndeshjet zyrtare këtë edicion.
E fjalët e mira për meksikanin nuk i ka kursyer mesfushori gjerman i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan.
“Unë mendoj se Jimenez ka gjithçka të një sulmuesi të klasit botëror”.
“Ai është i lëvizshëm, por edhe fizikisht i mirë dhe me një teknikë fantastike. Unë mund ta imagjinoj atë duke luajtur me ne”, ka thënë Gundogan.
Deklarata e gjermanit ka bërë bujë të madhe në Angli, pasi besohet se City tanimë ka siguruar shërbimet e Raul Jimenez.
Reprezentuesi gjerman e ka krahasuar meksikanin me sulmuesin e Bayernit, Robert Lewandowski.
“Ndoshta Jimenez nuk është ende në atë nivel, por ai mua ma kujton Robert Lewandowskin për sa i përket stilit të lojës. Ai ka shumë potencial të madh”, tha Gundogan.
Jimenez po kërkohet nga skuadra të mëdha, por Wolverhampton vështirë se do ta lejoj largimin e tij pa 60 milionë euro. /Telegrafi/