Telegrafi

Është ndërprerë ndeshja ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Z Mobile Prishtinës

(Foto: Facebook/K.B. Golden Eagle YLLI)

Ndeshja e vlefshme për javën e 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Z Mobile Prishtinës, është ndërprerë në çerekun e tretë.

Në përballjen e zhvilluar në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, në dy çerekët e parë, në avantazh ishin mysafirët.

Ata e mbyllën dhjetëminutëshin e parë me gjashtë pikë epërsi (20:26), ndërsa pas fraksionit të dytë (21:25) shkuan në pushim me dhjetë pikë epërsi (41-51).

Mirëpo, sipas një njoftimi në faqen e Golden Eagle Yllit në Facebook, delegati i Federatës së Basketbollit të Kosovës kishte kërkuar që të zbrazej palestra nga tifozët, gjë që e ka refuzuar klubi nga Suhareka duke vendosur që të mos e vazhdojë ndeshjen.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Superliga e Kosovës në basketboll

“Për arsye që delegati kërkoi ta zbrazë sallën dhe duke ditur që ndeshja zhvillohet për publik, lojtarët dhe klubi të indinjuar me këtë referim vendosën të mos e vazhdojmë ndeshjen”, thuhet në njoftimin e Golden Eagle Yllit.

Lidhur me ndërprerjen e ndeshjes është prononcuar edhe Z Mobile Prishtina përmes një njoftimi të publikuar në  Facebook.

“Të nderuar Plisa, adhurues dhe dashamirë të klubit tonë, Ju njoftojmë se ndeshja e sotme Golden Eagle Ylli vs Z MOBILE PRISHTINA është ndërprerë pas hedhjeve të mjeteve të forta në parket nga publiku suharekas me ç’rast delegati i ndeshjes dhe referët kërkuan zbrazjen e sallës. Me këtë vendim nuk u pajtuan krerët e klubit nga Suhareka, të cilët nuk pranuan ta vazhdojnë ndeshjen”.

“Se cili do të jetë epilogu final i kësaj ndeshjeje mbetet ta presim se çfarë do të vendosë Federata e Basketbollit të Kosovës në bazë të dispozitave të rregulloreve në fuqi përkitazi me këto veprime”, thuhet në postim.

Z Mobile Prishtina është lider i pakontestueshëm në Superligën e Kosovës në basketboll me 18 fitore të regjistruara në 18 javët e para kampionale.

Golden Eagle Ylli qëndron në pozitën e tretë, me 12 fitore dhe gjashtë humbje të regjistruara në 18 xhiro. /Telegrafi/