Sipas autoriteteve italiane, Italia ka ende një shans për të luajtur në Botërorin e ardhshëm që do të mbahet këtë vit në Katar.
Skuadra e Roberto Mancinit nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës 2022 për herë të dytë radhazi pas humbjes 1-0 në “play-off” nga Maqedonia e Veriut në mars.
Por, kampionëve në fuqi të Evropës mund t’i jepet një vend në Katar nëse Ekuadori hiqet nga turneu.
Ekuadori është nën hetim nga FIFA mbi akuzat për paraqitjen e një lojtari të papërshtatshëm në kualifikimet e Kupës së Botës.
Kili pretendon se Byron Castillo i Ekuadorit është në fakt kolumbian dhe ka falsifikuar moshën e tij.
Nëse është e vërtetë, rregullat e FIFA-s thonë se kombëtarja nga Amerika e Jugut mund të humbasë vendin e tyre në Kupën e Botës.
Franco Chimenti, një ish-anëtar i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI), është ende i kapur pas shpresës se katër herë fituesit e Kupës së Botës do të luajnë në Kupën e Botës dhe sheh një shans ‘konkret’.
“Ka ende një shans për të parë Italinë në Kupën e Botës dhe është më konkrete se sa mendojnë njerëzit”, ka thënë fillimisht Chimenti për Football Italia.
“Me sa duket, Ekuadori ka përdorur një lojtar që nuk lejohej të ishte në fushë dhe mund të paguajë për të”.
Chimenti më pas shpjegon se si mund t’i ofrohet Italisë një rrugë kthimi në Kupën e Botës nga organi kryesor i futbollit botëror.
“Nëse ndodh, një vend tjetër duhet t’i zëvendësojë dhe rregullat e FIFA-s thonë se vendi më i lartë në renditjen e FIFA-s duhet të ftohet dhe për momentin, është Italia”, përfundoi Chimenti.
Italia, e cila fitoi Euro 2020 verën e kaluar, nuk ka qenë në një Kupë Bote që nga viti 2014. Ata humbën një vend në Rusi dhe, për momentin, nuk do të jenë në Katar. /Telegrafi/