Telegrafi

“Është koha për t’u dhënë atyre një mësim” – Izraeli do të refuzojë t’u japë viza zyrtarëve të OKB-së

Izraeli nuk do t’u japë zyrtarëve të OKB-së viza për të hyrë në vend, ka thënë ministri i tij i jashtëm, ndërsa debati mbi komentet e bëra nga sekretari i përgjithshëm i grupit po intensifikohet.

Zyrtarët izraelitë janë zemëruar me deklaratën e Antonio Guterres se sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izraelin jugor “nuk ndodhi në vakum”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kritikoi në mënyrë indirekte Izraelin për urdhërimin e evakuimit të civilëve nga veriu në jug të Rripit të Gazës.

Ai tha gjithashtu se sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor nuk ndodhi “në një vakum” pasi palestinezët i janë nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet.

Ndërkohë, i dërguari i Izraelit në OKB, Gilad Erdan bëri thirrje për dorëheqjen e Guterres, duke thënë se Izraeli duhet të rimendojë marrëdhëniet e tij me organizmin botëror.

Dhe tani, ai u ka thënë mediave izraelite se zyrtarëve të OKB-së nuk do t’u jepen viza për të hyrë në këtë vend.

“Ne do të refuzojmë t’u japim viza përfaqësuesve të OKB-së. Ne tashmë kemi refuzuar t’ia japim një të tillë nënsekretarit të përgjithshëm për çështjet humanitare Martin Griffiths”, i tha ai Radio Army, duke akuzuar Guterres se justifikonte një masakër.

“Është koha për t’u dhënë atyre një mësim”.

Izraeli historikisht ka pasur marrëdhënie të tensionuara me OKB-në, duke e akuzuar atë për njëanshmëri. /Telegrafi/