Telegrafi

“Është koha për të ndaluar luftën”: Oligarku që u pasurua në krah të Vladimir Putinit, tani po e kritikon presidentin rus

Një oligark ukrainas, i cili u pasurua me ndihmën e Kremlinit, tani po kundërshton presidentin rus, Vladimir Putin.

Duke folur për NBC News gjersa është në arrest shtëpiak në Austri, miliarderi Dmytro Firtash tha se lideri rus nuk mund të fitojë në Ukrainë.

“Sido që të ndodhë, Rusia do të humbasë”, tha fillimisht 56-vjeçari.

Firtash e bëri pasurinë duke shitur gaz natyror rus në Ukrainë dhe tani po pret të ekstradohet në SHBA, ku po përballet me akuza për konspiracion dhe ryshfet. Ai ka qenë në arrest shtëpiak gjatë tetë viteve të fundit.

Ai e këshilloi Putinin se “është koha për të ndaluar luftën. Nuk do të korrësh fitore. Sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më keq do të jetë për popullin rus, jo vetëm për popullin ukrainas”.

Ndryshe, ky reagim vjen pas deklaratës së oligarkut, Oleg Tinkov, i cili e quajti “luftë të çmendur” agresionin rus në Ukrainë.

Oleg Deripaska gjithashtu ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës, pa e kritikuar drejtpërdrejt Putinin. /Telegrafi/