Telegrafi

“Është inskenim i partisë”, “Nuk ka Grup të zjarrit” – Qytetarët flasin për përçarjet në BDI

Pakënaqësitë brenda Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) kanë rezultuar me formimin e kryesisë së re. “Grupi i zjarrit” brenda kësaj partie kërkoi që të zhvillohet debat brenda partiak si dhe të ketë llogari nga ministrat e tyre për punët e bëra.

Përplasjet në mes funksionarëve të kësaj partie nga disa qytetarë vlerësohen si inskenim. Telegrafi Maqedoni ka pyetur qytetarët çfarë mendojnë edhe për qeverisjen e kësaj partie në vitet e fundit, e ka prej atyre që thonë se është dashur të bëjë më shumë.

“Nuk jam i informuar, pak i kam përcjellë pasi nuk na intereson. Nuk e vlerësoj asnjërën për vete. Sa vite jemi me ata, nuk kemi parë asgjë. I urrej të gjitha partitë e vjetra”, tha një qytetar.

“Nuk ka grup zjarri. Ajo u pa edhe dje. Mendoj se BDI do të ketë sukses me kryesinë e re”, tha një qytetar.

“Kjo është parti që dominon momentalisht në Maqedoni. Nuk e kemi problem ne BDI, por partitë maqedonase, ata i imponohen BDI-së, një herë LSDM-ja, një herë OBRM-PDUKM. Sa i përket “Grupit të zjarrit” është lojë e vjetër e BDI-së. Ata 70 përqind të votave i kanë të siguruara. Udhëheqësi është Ali Ahmeti”.

“Besoj se është inskenim, pasi nuk kanë opozitë dhe vetë e luajnë edhe pozitën edhe opozitën. Sa i përket kryesisë së re është e njëjta këngë. Kurse për qeverisjen ka pasur edhe periudha të mira edhe të këqija”.

“Nuk e njohim mirë politikën, por BDI i bëri 20 vite dhe duhet të jetë e vendosur për ta mbajtur popullin. Ndoshta ka mundur të bëjë më mirë, duhet forcë politike për palën tjetër dhe duhet besim”.